5 Shtator, 2020 - 12:08 pm
Janë duke u venitur shpresat në Bejrut për gjetjen e ndonjë personi tjetër të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga shpërthimi masiv i muajit të kaluar.
Punëtorët e ekipeve të kërkim-shpëtimit filluan të kërkojnë në rrënoja pasi një pajisje me sensor dha sinjal për shenja të mundshme të personave të gjallë, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Megjithatë, punëtorët kilianë e përfunduan ditën e dytë të kërkimeve pa asnjë rezultat.
Bejruti mbajti një minutë heshtje të premten për ta shënuar njëmujorin e shpërthimit, ku mbetën të vrarë rreth 200 persona.
Mijëra persona të tjerë u lënduan nga shpërthimi që u shkaktua prej 2,750 tonëve të nitratit të amonit, që është lëndë shpërthyese.
Pavarësisht se qeveria libaneze dha dorëheqje disa ditë pas shpërthimit, protestuesit nuk u qetësuan dhe u përplasën me policinë për disa net me radhë.
Sipas zyrtarëve libanezë, një muaj pas shpërthimit, shtatë persona ende mbeten të zhdukur. / KultPlus.com