20 Korrik, 2023 - 5:29 pm
Bëhet e ditur se organizata joqeveritare “Trashëgimia kulturore pa kufij” tashmë e ka lansuar thirrjen për pjesëmarrje në “Verën e zejeve”, që i jep një tjetër kuptim vizitës së diasporës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Përmes punëtorive për punimin e veshjeve tradicionale të Dukagjinit, të plisit dhe përpunimi i pijeve alkoolike tradicionale, synon që të rinjtë pjesëmarrës të zotërojnë këto zeje e të futen në një eksplorim traditash shqiptare.
“Vera e zejeve” është nisma e fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Kosova” për thellimin e njohurive të të rinjve nga diaspora për kulturën e vendit të tyre. Punimi i veshjeve tradicionale të Dukagjinit, i plisit dhe përpunimi i pijeve alkoolike tradicionale janë aktivitetet nëpërmjet të cilave synohet të eksplorohet tradita shqiptare.
Me organizimin e parë në Gjakovë, Pejë e Deçan, punëtoria ka për qëllim të bëhet tradicionale, e në thelb ka zgjerimin e horizonteve të pjesëmarrësve dhe t’i pajisë ata me njërën prej zejeve në dispozicion. Apo me të tria, sa janë.
Dëshira për të mësuar të paktën një prej zejeve tradicionale është njëri prej kritereve të “CHwB – Kosova”, që me këtë projekt i jep vlerë vizitës së pjesëtarëve të diasporës në vendlindje. Aplikuesi nga diaspora duhet të jetë mes moshës 18 deri 35-vjeçare.
Aktivitetin e parë planifikon ta nisë më 1 gusht, me punëtorinë për distilimin e rakisë dhe likerit me erëza vendore. Në kuadër të saj do të kombinohen njohuritë e trashëguara ndër breza. Nga një mentor i pjesëmarrësve do të jetë në secilën prej punëtorive. Për pjesëmarrësit në punëtorinë për distilimin e rakisë do të jetë Ali Alijaj nga Gjakova. Si zotërues i zejes, atë do ta transmetojë edhe te të rinjtë që jetojnë në diasporë me punëtorinë që mbahet në vendin e tij të lindjes, fshatin Nivokaz. Nikoqire e pjesëmarrësve në punëtori do të jetë distileria e tij “Vidasus”. Siç bëhet e ditur nga “CHwB”, njohuritë që pritet të mësojnë të interesuarit e kësaj punëtorie janë mbledhja dhe tharja e frutave, kombinimi i erëzave e deri te servimi i produkteve.
Tjetër zeje autentike, e cila do të mund të eksplorohet, është zanati i plisaxhiut apo siç njihen ata që i punojnë – qeleshepunuesit.
“Qeleshepunuesit ishin zejtarë të popullarizuar nëpër të gjitha çarshitë e vendit tonë, sepse qeleshja-plisi ishte pjesë përbërëse e veshjes popullore shqiptare dhe për lashtësinë e këtij kapuçi të bardhë flitet qysh moti”, shkruhet në shpjegimin për zejen.
Është bërë e ditur se hapat që do të ndiqen në praktikimin e kësaj zejeje përfshijnë sigurimin e leshit, matjen, shprishjen, pastrimin, ngjeshjen, tharjen e deri te vendosja në kallëp si një sërë procedurash dhe mjeshtërish që do të mësohen. Si rrjedhojë, produkti final në duart e pjesëmarrësve do të jetë një prej simboleve unike shqiptare që daton që nga antikiteti.
Qeleshepunuesi Afrim Lataj, që për disa dekada e praktikon këtë zanat duke e mbajtur të gjallë, do t’i presë pjesëmarrësit më 3 gusht në Çarshinë e Gjatë në Pejë, shkruan koha.net.
Gjithashtu do të eksplorohen edhe prapaskenat e punimit të veshjeve tradicionale, me theks të veçantë ato të zonës së Dukagjinit. Në punëtori do të kenë mundësinë të njoftohen me procedurat që aplikohen si qëndisja, qepja e thurja e tyre derisa do të përdoren materiale të ndryshme. Zejtare e kësaj punëtorie do të jetë Nifë Latifaj, 72-vjeçare nga fshati Carrabreg i Deçanit. Është bërë e ditur se ajo ka qepur qindra kostume të tilla gjatë gjithë jetës së saj.
Anila Dautaj, zyrtare për komunikim në fondacionin “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka thënë se nëpërmjet punëtorive duan të shtojnë dashurinë për vendin dhe kulturën e tyre te të rinjtë nga diaspora nëpërmjet mishërimit me traditat e vendit.
“Është e rëndësishme që të rinjtë nga diaspora të përjetojnë diçka autentike të vendit prej nga ata vijnë. Është gjithashtu e rëndësishme që ata t’i ikin përjetimit të zakonshëm veror që kanë në Kosovë”, ka thënë Dautaj, sipas së cilës zotërimi i këtyre njohurive mund të jetë potencial edhe për zhvillimin e këtyre zejeve.
“Ideja jonë afatgjate është që këto punëtori të shtojnë dëshirën e tyre dhe motivin për të vazhduar edhe më tepër interesimin e tyre rreth zejeve. Pse jo edhe ta shndërrojnë në prodhim potencial dhe veprimtari të cilën mund ta zhvillojnë edhe në vendet e perëndimit ku ata jetojnë dhe t’i shohin këto punëtori si potencial edhe për hapjen e tregjeve të reja për produkte vendore”, ka thënë Dautaj.
Fondacioni, me programin e tij organizon punëtori prej më të ndryshmëve kohë pas kohe. Kohëve të fundit janë dalluar ato të riparimit të hapësirave e inventarit, siç ka qenë punëtoria për restaurimin e interierit të shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani. Ishte programi “Heritage Lab” ku hapësira kishte marrë pamje krejt të re e si rezultat, objekti i shtëpisë ishte hapur në gusht të vitit të kaluar për komunitetin artistik, kulturor dhe jo vetëm nëpërmjet “Rezidencës 17”.
Në të njëjtin program ishte edhe një tjetër projekt, ai me titull “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, që përfshinte punëtorinë e restaurimit në Xhaminë e Osman Efendisë në Novobërdë.
Mirëpo është e para punëtori e këtij lloji.
“Është hera e parë që po organizohet një punëtori e tillë, e dedikuar enkas për diasporën, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen do të përjashtojmë edhe të rinjtë që jetojnë në Kosovë. Këto punëtori kanë mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, prandaj edhe këtë verë dedikimi u është bërë atyre përmes programit të Ministrisë për të rinjtë e diasporës”, ka thënë Dautaj.
Jo me ndonjë arsye të veçantë është bërë përzgjedhja e zejeve, por si rrjedhojë e infrastrukturës së mjaftueshme për të pranuar të gjithë të interesuarit. “Arsyeja e përzgjedhjes nuk ka të bëjë me rëndësinë apo atraktivitetin e tyre, sa ka të bëj me mundësinë e fasilitimit më të lehtë. Meqenëse është viti i parë që po organizojnë këto lloj punëtorish, po e pilotojmë me këto tri zeje, për të vazhduar me vite të tjera të organizimit, ku përzgjedhja e punëtorive dhe përgatitjet do të fillojnë shumë më herët në mënyrë që të ketë shumë më shumë laramani mes zejeve”, ka treguar Dautaj.
Në përshkrimin bashkangjitur thuhet se inkurajohet pjesëmarrja e grave dhe grupeve të margjinalizuara. Sipas Anila Dautajt, nëpërmjet kësaj ndihmojnë në ngritjen e nivelit të barazisë dhe jo vetëm.
“Synojmë të rrisim edhe shkallën e diversitetit, sepse përvoja, pikëpamjet dhe idetë e ndryshme janë burime për krijimin e inovacionit dhe zhvillimin e aftësive të reja”, ka thënë ajo.