22 Shkurt, 2020 - 2:02 pm
Shijimi i një vere është i ndarë kryesisht në tre faza: vëzhgimi, vlerësimi i aromës dhe shijimi. Secili prej këtyre elementeve ka pak vlerë i marrë më vete, por bëhet thelbësor në tërësi.
Një shijues i mirë, në të vërtetë, nuk e kufizon veten në përshkrimin e ngjyrës, aromave dhe shijes së një vere por, duke gjykuar gotën që po shijon si një e tërë, ai arrin të japë një vlerësim të përgjithshëm të asaj vere të caktuar: vlerën e saj, por mbi të gjitha potencialin e saj.
Dhe bazuar në këtë ai cakton një rezultat që i lejon kujtdo, qoftë edhe me më pak përvojë, të kuptojë nëse ajo verë është e vlefshme apo jo.
Çarë vlerësohet me sy?
Ngjyra na lejon të kuptojmë nëse një verë është bërë me një varietet specifik rrushi ose me një teknikë të caktuar përpunimi. Një shijues i vëmendshëm mund të marrë një ide në lidhje me përmbajtjen e alkoolit në atë verë dhe për moshën e saj.
Çfarë vlerësohet me hundë?
Shijuesit i kushtojnë më shumë se 60 përqind të kohës analizimit të aromave të verës. Me hundë mund të kapni notat më tipike të rrushit, të ashtuquajturat aroma parësore. Por edhe ndjesitë e aromave që vijnë për shkak të fermentimit, që është shndërrimi i mushtit në verë ose të ashtuquajturat aromat dytësore. Apo gjurmët që vjetërimi i mundshëm në dru lë tek vera, të ashtuquajturat aroma terciare. Për të vlerësuar më mirë aromat e një vere, kërkohet shumë përvojë dhe pakëz imagjinatë.
Çfarë vlerësohet me gojë?
Nëse hunda lejon shijuesin të përshkruajë aromat e një vere, vetëm pasi ta keni shijuar, mund të plotësohet kuadri. Me shijimin gjykohet mbi të gjitha ekuilibri i një verë, ose marrëdhënia e saktë midis ndjesive të freskëta, të përfaqësuara në thelb nga aciditeti i saj dhe butësia për shkak të pranisë së alkoolit.
Më pas struktura e verës dhe qëndrueshmëria e saj, domethënë numri i sekondave që shija e verës mbetet në gojë. /bota.al / KultPlus.com