18 Gusht, 2024 - 10:27 am
Vera Zheji Zëri, simbol i Radio Tiranës, vdekur në moshën 91-vjeçare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e saj.
“Sot në mëngjes, nëna ime Vera Zheji, u largua nga kjo botë. Kaloi pak jave të rënda, po iku qetësisht nga shtëpia e familja e saj sot në të gdhira. Në emrin e saj falenderoj gjithe miqtë e shumtë e dashamirësit që e kanë ndjekur, përkrahur e respektuar nëpër vite, të cilët ajo deri në fund i kujtonte me dashuri e mirënjohje. Kjo është jeta! Zoti na ndihmoftë të gjithëve ta mbyllim mirë kohën që na mbetet në këtë botë”, shkruan vajza e saj në Facebook.
Zheji është pinjolle e dinastisë kulturore, motra e gjuhëtarit dhe filozofit të madh Petro Zheji.
Ajo lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70. Ajo lexoi edhe lajme në italisht, një gjuhë që e zotëronte shumë mirë. Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.
Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.