5 Tetor, 2023 - 11:27 am
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend u ndal te deklarata e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në intervistën për Financial Times, ku tha se “veriu i Kosovës është kthyer në tokë të askujt”.
Berisha e ka cilësuar deklaratë skandaloze.
“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë deklarata superskandalooze e Ramës se Kosova e Veriut është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare. Nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo. Po tju pyes unë ju; pse derdhi gjakun, fali jetën, Afrim Bunjaku, ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rreggulli. Ku u zhvillua një betejë me grupet terroriste të nisura nga Vucic dhe të kryesuara nga Radojicic? Në tokën e zotërve të saj. A mund një KRIMministër të bëjë një deklaratë të tillë. Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklaratat e turpshme këtu përpara,. Dostoevsky thotë: Njeri që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homosapians. Ndaj zonja Nikolla, debate duhet të zhvendoset”, tha Berisha.
“Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt. Ju nuk e mbuloni dot me asgjë, nuk e mbulon dot me asnjë lloj recitimi zonja Zilie Pali. E ka dashtë vetë, nuk ia kam vënë unë. Unë po flas me terma frojdianë, se po t’ia them me ato terma që ia thotë Rama, ju pastaj bërtisni, thoni shih sa vulgar është ky. Po flas me terma medikalë. Pra, nuk e mbuloni dot me asgjë këtë deklaratë të bërë vetëm një javë pasi ajo tokë u vadit me gjakun e atij që desh të bënte ligjin. Nuk e zhbëni dot ju këtu vetëm një javë pasi djemtë trima me uniformë, vendosën të përballen me një grup terroristësh dhe ta përzënë me turp nga ai territor, që i thotë Edi Rama dhe Vuçiç se është tokë e askujt. Nuk e zhbëni dot, nuk e maskoni me asgjë, me asnjë skenar, me asnjë skllav, me asnjë peng, me asgjë tjetër, deklaratën që kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës dhe ta kthejë në protektorat të NATO-s. NATO ka përçmuar me refuzim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij”, shtoi Berisha.
Ndërkohë, e ashpër ishte në reagim edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo e fundit e cilësoi Berishën si përçarës dhe ish-sigurims. Ministrja i sugjeroi Berishës që të merret me punët e shtëpisë, referuar përçarjes në PD.
“Sot më kujtuat një film realist që doktori duhet ta dijë se e ka bërë karrierën e tij, si në këto filma. Disa diversantë dhe sigurimsa, ju jeni në rolin e sigurimsit, dhe merren me njëri tjetrin. Saliut mund t’i shkojë për shtat ajo shprehja; memecit i erdhi goja. Në këtë rast zotit Lulzim i erdhi goja në Kuvend, i erdhi hidhur. Ai nuk mund të merret me kryetarin e Kuvendit, me kushtetutën, ku hallin nuk e ka te Kushtetuta, por te shtëpia. Nuk mundet që nga kjo foltore, nuk ka heq dot fjalën doktor siç e bëje një herë e një kohë. Tentativa për të krijuar narrativa me heronj dhe tradhtar, është tentativa më e dëmshme për Kosovën. E keni traditë këtë. S’ka gjë më të dëmshme që për interesa të paurtisë të vini në lojë Shqipërinë dhe Kosovën e vini si kolateral. Ka kush i del Kosovës për zot. Nga ulësja më e lartë në Shqipëri, Kosovë dhe BE. Zgjidhni një herë hallet e shtëpisë.”, tha ajo.
Një artikullin e Financial Times publikuar më 3 tetor ra në sy një deklaratë e Ramës, sipas së cilës “Kosova është një pikë e nxehtë dhe me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku kombinohen të gjitha llojet e krimeve”, është korrigjuar nga autori i shkrimit. Gazetari në një reagim të mëvonshëm sqaron se Kryeministri në fjalën e tij i referohet veriut të Kosovës dhe jo shtetit të Kosovës. /Gazeta Express / KultPlus.com