23 Tetor, 2023 - 1:30 pm
Në këtë kampionat morën pjesë garuese nga 39 vende të ndryshme për peshat deri në 60 kilogramë.
Verona Gjinaj, shqiptarja nga Kriens i Zvicrës, ka fituar vendin e tretë, duke u stolisur me medaljen e bronztë në Kampionatin botëror të tajboksit, i cili u zhvillua për tri ditë në Mynih të Gjermanisë, raporton albinfo.ch.
Gara u organizua nga ISKA (Amateur International Kickboxing Association). Morën pjesë tajboksiere nga 39 vende të ndryshme për peshat deri në 60 kilogramë.
Dy herë kampionia zvicerane e fitoi qartë me pikë përballjen e saj të parë ndaj garueses nga Malta dhe garueses tjetër nga Greqia. Këtë të fundit arriti ta fitojë që në raundin e parë me një nokaut. Në gjysmëfinale, 19-vjeçarja doli përball një kundërshtare nga Amerika, e cila mundi Veronën me ndërprerjen e ndeshjes nga gjyqtari, e që në fund të kampionatit garuesja nga Amerika u shpall edhe fituese e këtij turneu.
Duhet theksuar se Verona Gjinaj me moshën 19-vjeçare, ishte më e reja në kategorinë e saj. Ky ishte një rezultat mjaft pozitiv për moshën e saj dhe një rezultat shpresëdhënës për të vazhduar karrierën e saj me suksese të reja. / KultPlus.com