Veshjet e Dukagjinit, Pukës e Mirditës, pasuri e çmuar etnografike

28 Tetor, 2023 - 9:33 am

Kostumet folklorike janë një prej faktorëve që na dallojnë ne si komb, nga vendet fqinje. Shumë prej tyre datojnë që nga periudha ilire dhe natyrshëm kanë ardhur duke u përshtatur me kohën e rrethanat në të cilat janë përdorur, e megjithatë në to ruhen ende motivet themelore që mund të shpjegohen me besimet parahistorike. Në veshjet e veriut gjenden trekëndësha, rombe, qarqe e kryqe të njohura si simbole të shëndetit e pjellorisë.

DRTK Shkodër ka prezantuar së fundmi disa veshje të zonës së Dukagjinit, Pukës e Mirditës që janë pjesë e koleksionit privat të Gjon Dukgilaj, duke shpalosur një pasuri të çmuar etnografike.

Një prej elementeve të koleksionit është përparësja e madhe (paraniku) në formë trapeze, me thakë e krahinës së Pukës, e cila lidh zonën e Dukagjinit me zonën e përtej Drinit duke ndërlidhur elementë të përbashkët mes përparëses së Pukës me atë të Dukagjinit. Në foton e parë shohim pjesë nga paraniku gjithnjë i qëndisur me motive tepër interesante të përdorura para vdekjes së Skënderbeut dhe Lek Dukagjinit, të njëjtat ngjyra të pranishme edhe tek ajo e zonës së Dukagjinit. Më pas xhubleta bëhet e zezë, dhe dijebërja e saj u trashëgua në zonën e Mirditës dhe Dukagjinit që mbajnë zinë e Skënderbeut dhe Lek Dukagjinit.

Një tjetër element i ruajtur është xhupi i grave dhe i vajzave Mirditore – (xhybja mirditore).
Xhupi është si zhgun pa mëngë dhe i gjatë deri poshtë gjunjëve, zbukuruar me gajtane të zinj e me figura simbolike të kuqe, vishnje dhe kafe a të zeza.

Ndërsa brezi në ngjyrë të bardhë; tregon se vajza e shtepisë ishte e fejuar dhe vinte nga një familje e madhe dhe e pasur.

Përparësja (paraniku) e krahinës së Dukagjinit me thakë ngjyrë vjollcë që mbahej në ceremonitë martesore dhe mortore, tregon ngjyrat që xhubleta kishte dikur, qëndisur me motive tepër interesante që të kujtojnë simbolikën e nënës Tokë./KultPlus.com

Të ngjajshme