9 Gusht, 2023 - 8:20 pm
Mbi 100 foto u ekspozuan sot në sheshin para bashkisë së Shkodrës në ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”, që solli një retrospektivë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Mbi 100 fotot e kësaj ekspozite njëditore, e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, shpalosin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare si dhe sjellin në memorie figura të rëndësishme historike nën petkun e veshjeve popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare).
Bashkia e Shkodrës bëri të ditur se në këtë ekspozitë shëtitëse në qytete të ndryshme të vendit, rajoni i Shkodrës prezantohet përmes fotove të dinastisë Marubi.
Më herët, ekspozita u hap edhe në Krujë, ku zgjoi kuriozitetin e vizitorëve të huaj, që këto ditë gushti kanë zgjedhur të vizitojnë Krujën, si dhe të qytetarëve të shumtë. Ata patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare./KultPlus.com