19 Gusht, 2022 - 8:02 pm
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kroacisë, në trenumërshin (4-6) më të ri të Revistës së saj FORUM të këtij viti (2022), ka botuar edhe monodramën e studiuesit dhe dramaturgut Besim Rexhaj, Vetëharrimi. Kjo monodramë, e cila është botuar edhe në gjuhën angleze si botim dygjuhësor para dy vitesh nga Qendra Multimedia me seli nëPrishtinës, është përkthyer nga gjuha shqipe në atë kroate nga studiuesi But NueJaku. Kjo është monodrama e dytë e këtij dramaturgu, e cila ibotohet në gjuhën kroate. Para dy vitesh, Revista e njohur për letërsi, kulturë e art “REPUBLIKA”, e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kroacisë, i botoi monodramën Loja e pafund, MonPara dy vitesh.
VETËHARRIMI, si tekst dramatik e si shfaqje teatrore, në qendër të vet e ka tragjiken e luftës e të pasluftës, me një fokusim në fatin e një të mbijetuare të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit( 1998-9). Një monodramë me një bazë të fortë dokumentare, VETËHARRIMI, me anë të gjuhës së sintezës artistike, e artikulon jo vetëm dramën e individit – të femrës së dhunuar, por edhe dramën e kolektivitetit – të femrave të dhunuara, dhe, si e tillë, ajo artikulon dramën e familjes e të shoqërisë, pasojat të cilat e rëndojnë trupin dhe shpirtin e individit, të familjes e të shoqërisë!
VETËHARRIMI, me gjuhën e dhembjes, të akuzës, të ironisë e të qortimit moral e, madje, edhe politik, është një thirrje e fuqishme artistike, drejtuar sa një regjimi gjenocidial, aq edhe shoqërisë sonë, e cila, gjatë periudhës së pasluftës, e ka margjinalizuar një nga shtresat dhe një nga plagët më të rënda të luftës – të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe tragjikën e traumës së tyre, që është tragjika dhe trauma jonë!
KultPlus ju sjell një pjesë nga drama më poshtë:
(Përpiqet për të gjetur në disa dokumente që i ka në një raftëlibrash një raport të psikologut a një diagnozë dhe, pasi nuk e gjen, heq dorë.)
Nuk e di, nuk e di tamam, këtë ferrin tim e quanin me emra të ndryshëm, këtë e kam kuptuar vetëm më vonë, por, një nga shpjegimet që i përdornin menjëherë përfundi diagnozës ishte se duke ikur nga vetja, nga turpi, nga dhembja, nga vuajtja, nga tmerri, isha çmendur!! Nejse, nuk thuhej tamam kështu, por, ashtu siç isha, e dhunuar dhe, edhe më shumë se kaq, e dhunuar shumëfish dhe, mbi të gjitha, si dëshmitare e dhunimit, si e tillë, nuk mund ta pranoja vetveten ashtu siç isha, dhe ikja….ikja dhe fshihesha nga vetvetja e nga të tjerët! Ikja nga të tjerët dhe nga të gjithë ata që as ma njihnin plagën e vuajtjen, pos atyre që kishin kaluar nëpër ata rrathë ferri… Ahhhhahaaaaaa…!
(Si me një shpërthim të brendshëm vuajtjeje.)
Ohhhhh…. Po, po, ata që, vonë e kam kuptuar këtë, ata që nuk donin ta quanin çmendi ferrin tim, e quanin disi butë, dhe i thoshin traumë, çrregullim, tjetërsim, largim nga vetvetja, më së shpeshti- çrregullim i stresit post-traumatik… Kurse unë e quaja, le ta them ndryshe… me një gjuhë tjetër… Po lëre, lëre fare, ç’rëndësi ka si e quaja?!… Nuk e dija dhe as e di si t’ia bëjë me vetveten, si ta gjeja shtegun e shpëtimit kur të gjitha rrugët po më ngushtoheshin! Ku të fshihesha nga vetvetja?! Nga e kaluara ime?!… Nga era e gjakut përzier me erë rakie… Nga era e gjakut përzier me erë rakie e shfrenim të egër e të pafund mbi mua… Dikur e pata kuptuar paksa dhe përpiqesha, ashtu siç dija dhe me aq sa kisha mundësi, përpiqesha të shfletoja nëpër zonat e harrimit të qenies e të kujtesës sime… Nëpër ato zona të cilat, sa herë zbrisja pak më thellë drejt të kaluarës sime, më trembnin… Natën ma nxirrnin gjumin me ëndrrat me korba e gjarpërinj, kurse unë, e qullosur nga djersa e ankthit, e mbështesja kokën në gjoksin e burrit tim, të cilin mezi e njihja, jo nga terri i natës, po nga verbimi i mendjes… Dhe vetëm e vetëm pas shumë përpjekjesh e fjalësh të përsëritura ritmikisht nga ai: “Unë jam, unë jam, Skifteri, Skifteri yt, je me mua, unë jam me ty, unë jam, ne jemi këtu, ti dhe unë, unë jam… Mos ke frike, je me mua, askush nuk të lëndon… jo jo… Unë jam këtu, këtu dhe me ty…” Vetëm atëherë e kuptoja se isha zhytur nëpër honet e së kaluarës sime… Dhe nuk dija më nga të shikoj, kujt t’i drejtohem, kur asgjë nuk më ngushëllonte… Nuk e di, nuk e di… (…)
Cila jam unë? Cila prej këtyre jam unë???!!… A jam grua, grua, grua a jam!? E nënë, nënë, nënë a jam…!! E femër!? Femër, femër a jam…!? A jam bashkëshorte!? Bashkëshorte, bashkëshorte a jam…!! Gjithçka nëse harroj, fjalën nënë, grua, bashkëshorte nuk duhet ta harroj!!! Por, cila jam unë??!!! Cila jam unë? Cila? Kur tashmë nuk e njoh as veten time dhe atë që e ndjej… Ti je një grua, një grua, grua… Ti je një nënë, një nënë, nënë… Ti je një femër, një femër, femër… Ti je një bashkëshorte, një bashkëshorte, bashkëshorte…. Këtë nuk duhet ta harrosh!!…Gjithçka nëse harron, këtë nuk duhet ta harrosh!!! (…)
A thua vetëm pse gishti i burrave të botës ishte drejtuar mbi ne dhe, ashtu i hekurt siç ishte, po rrënonte prapë edhe atë pak jetë që mund të kishte mbetur brenda nesh? A thua vetëm pse hija e turpit dhe mallkimi i mëkatit të pabërë kishin rënë mbi ne në kohë lufte??!!! A thua duhet të strukemi në shtëpitë tona, të poshtëruara, të braktisura, me gojën të kyçur??!!!… A thua për këtë duhet të shndërrohemi në hije, në hije të jetës e të vdekjes???!!!… Zot, si jemi skajuar, si na kanë skajuar??!! Tamam sikur të ishim gjësende, të cilat i shtyjmë anash që të mos marrim thua në to!!!! Po, po, edhe ne jemi po ashtu shumë si ata që janë vrarë e nuk janë më… Dheu iu qoftë i lehtë atyre… Thoshin, madje, ishim më shumë… E ç’rëndësi ka kjo nëse ishim më shumë a më pak… Kjo vetëm sa e shton vuajtjen tonë… Ata që kishin rënë, që kishin vdekur, që ishin vrarë nga makineria e vdekjes, dhe që i kishin fikur familjet e tyre, mbi jetën e vdekjen e të cilëve ishte ndërtuar liria!… Kjo liria që e kemi, e madhe dhe e vogël, e bukur dhe e shëmtuar, me bukë e pa bukë, liri me lukse e mjerime, me skamje e varfëri… Po, po, vdekja e tyre madhërohej, e atyre që kishin rënë, nga të gjithë, mbi të gjitha nga hileqarët në pushtet dje e sot që, duke iu ndërtuar lapidare cep më cep, po fshihnin turpet e veta dhe po e blinin paqen e pasluftës!… Dhe po krijonin taborret e atdhetarëve e të tradhtarëve, që i përdornin sa herë ua donte puna, që, mbi të gjitha, ta ruanin qetësinë e mirëqenies së tyre!!!!… E pse jo, me vdekjet, që i shpallnin heroike edhe kur nuk ishin të tilla, mund të bëhej shumë, mund të frymëzohej ideali i shtrenjtë i lirisë!!!…Sepse vdekja, edhe kur sjellë dhembje, vuajtje e humbje, me vete bart edhe flamurin e mburrjes, të cilin e valëvisin pushtetarët sa herë ua do puna… Kurse me ne, që kishim vdekëme shpirtin e na e kishin vra frymën e jetës dhe jetonim disi vetëm me trupin, me ne nuk mund të krenoheshin!!… A valohet flamuri i turpit e i dhunimit, me të cilin na kishte mbështjellë jeta pa fajin tonë???!!! Nga ne duhet të fshiheshin, ne duhet të zvogëloheshim, të ishim a të bëheshim të paqena!!!… Sepse ne ishim ato me të cilat nuk mund të krenoheshin pushtetarët, dhe jo vetëm pushtetarët, sepse ne ishim viktima të luftës, të mbijetuara të luftës, thënë më butë!…Vetëm viktima dhe në gjëmën tonë nuk kishte asgjë heroike, kishte dhembje përzier me turpin, që i bënte hije të keqe madhështisë e heroizmave… Po, po, sepse dhembja e vdekjes në luftë, që rrëmben jetën, më të madhen gjë që e kemi në këtë botë, shndërrohet në krenarinë e paqes e të lirisë, që e shkërdhenin natën e ditën dhe vazhdojnë ta lodrojnë edhe sot, të më falni, po e kam nga zemra e plastë!!!…Me ne të mjerat, me ne viktimat e luftës e të pasluftës, çka mund të bëhej??!!! Kush mund ta ngrinte zërin për ne e të thoshte e pakta dy a tri fjalë mëshire e ngushëllimi, të mos flas për respekt e adhurim??!!… Ashtu siç e ngrisnin zërin pushtetarët dhe horrat e tyre në ato tubimet e përkujtimit për të rënët, ku më së paku përkujtoheshin ata e dhembja e familjes për njerëzit e vrarë, që nuk ktheheshin më kurrë në sofrat e në shtretërit e vet!!!… Dreq o punë, por këta luftëtarë lirie, e ngrisnin zërin e kujtoheshin vetëm në përvjetor, thuajse ata kishin rënë që dashuria e kujdesi për ta të dëshmoheshin në përvjetor, as më herët e as më vonë!!!… As më shumë e as më pak… Tamam në përvjetor dhe vetëm në përvjetor!!!… Por, kush mund ta valonte flamurin e mburrjes me ne??!!!… Jo, jo… ne duhej të mbaheshim në skajet e jetës, në margjinë, si thoshin, në heshtje dhe të heshtura, gojëkyçura… Dhe të ishim plotë mirënjohje e respekt për ndihmën që na e ofronin kur ne e dëshmonim, vetëm atëherë kur e dëshmonim, se ishim viktima të dhunës e të dhunimit!… Edhe atëherë kur nuk e dinim as rrugën për të shkuar e për të trokit në dyert e atyre zyrave për ato pak para, me të cilat mezi dilet në fund të muajit!!… Ju nuk e dini dhe nuk e besoni, por unë e di dhe i kam parë me sytë e mi kur rrëfeheshin me lot në sy se qysh pa arritur në gjysmë të rrugës drejt atyre zyrave, ku ndahej ajo lëmoshë, janë kthyer mbrapshtë në shtëpitë e tyre!! Sepse iu dukej se njerëzit, i madh e i vogël, po bënin me gisht në to e po thoshin…” Ja, kjo është ajo, një nga ato, një nga ato që në kohë lufte është…. E kanë dhunuar…!!!…” Dhe ktheheshin në çerdhet e tyre të mjerimit… ashtu me kokën ulur, me shikim për toke… E dini ju këtë apo nuk e dini?!! E dini, duhej të ishit të marrë që mos ta dinit! S’ka si të mos e dini, se pak prej nesh, fare pak, kanë trokitur në ato dyer, fare pak, kurse ne jemi shumë, shumë prej atyre që na kanë!!!… Fundja, këtë e dini fare mirë, sa e tek jemi, por nuk e dini plagën tonë dhe kot e keni me atë lëmosh që na e ofroni!!! Ju duhet të na pranoni e të na njihni, ashtu siç jemi, të mos turpëroheni nga ne, të bashkëndjeni me ne e me familjet tona! Vetëm atëherë, kur na njihni dhe na pranoni kështu si jemi, dhe e përkëdhelni plagën tonë, edhe ajo lëmosh ka kuptim!!! (…)
Ehhh, ku je nis tash, të bësh me gisht para botës tek bishat e Kasapit të Ballkanit??!!! Kah je nisë, kur nuk mund t’i bësh dy hapa pa rënë????!!!… Sidoqoftë, duke rënë e duke u ngrit, unë kam për t’ia dëshmuar botës, kësaj tonës këtu edhe asaj botës mbanë etje, se janë këto bishat ato që… Ahhh… se çfarë keni bërë! Nuk kam për të heshtur, do t’i tregoj botës, edhe këtyre këtu në këtë nënqiellin tim, që nuk jetojnë pranë nesh me shpirt, po që janë vetëm me trup pranë nesh, që kanë rënë viktima të kurthit tuaj dhe të vetvetes… A nuk jemi të pafaj?!! Jemi kristal të pastra, nuk ka qenë vullnet yni!!!… As me Bibël, as n’Kuran, neve nuk na prehet dëmi, nuk ishte vullneti yni!… /KultPlus.com