25 Korrik, 2020 - 10:00 am
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini, ka thënë se krahasuar me vitin 2019, këtë vit do të vijnë vetëm 10-15% e diasporës gjë që do të ndikojë në qarkullimin e ekonomisë së vendit.
Mirëpo, ai thotë se do të mungojnë edhe investimet e huaja, për të cilën sipas Shahinit, Kosova ka nevojë për to.
“Ata çka kanë qenë në vitin 2019, këtë vit do të vinë vetëm 10-15% e tyre prej diasporës, dhe sipas statistikave tona brenda pushimit në Kosovë janë ardhur mbi 500 milionë euro nga diaspora dhe janë investuar qoftë në blerje të patundshmërisë dhe ato mjete kanë qarkulluar në ekonominë e vendit dhe ato do të mungojnë po ashtu do të mungojnë edhe investimet e huaja për të cilat Kosova ka nevojë”.
Megjithatë, Shahini ka thënë se bizneset po i përgjigjen pozitivisht pagave të punëtorëve në shumicën e rasteve duke i huazuar bankat dhe fondet rezervë.
“Bizneset e vendit po i përgjigjen pozitivisht pagave të punëtorëve dhe këto në shumicën e rasteve duke huazuar nga bankat, duke i shpenzuar fondet rezervë dhe këto fonde mund që një ditë të harxhohen dhe mos të kenë punëtorët paga për të cilët ata pothuajse punojnë dhe vendimi i Qeverisë për të reduktuar punëtorët gjatë kësaj kohë në sektorin publik dhe privat kjo edhe më shumë e rëndon ekonominë dhe aktivitetet ekonomike të vendit”.
Por, ai ka kërkuar që të nivelizohen edhe pagat në sektorin publik, në mënyrë që edhe ata të ndien krizën.
“Do të duheshin të nivelizohen pagat e sektorit publik në mënyrë që të ndien edhe ata krizën dhe të shohin se sa janë përgjegjës. Zjarrfikës për krizë qytetare duhet të jetë qeveria me fondet e veta dhe ato duhet me çdo kusht të gjinden ato fonde”. Klan Kosova / KultPlus.com