15 Qershor, 2021 - 10:38 am
Fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që ti drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
KultPlus fton të gjithë fëmijët prej 10 deri 15 vjet që ti drejtohen me një letër presidentes së vendit, të cilët, nëpërmjet letrave, ata mund të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre, të cilat edhe do ti nënshtrohen një jurie profesionale prej tre shkrimtarëve për fëmijë.
Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka njoftuar se kjo thirrje ka për qëllim që fëmijët ti ofrojë sa më afër institucioneve të Kosovës, por në të njëjtën kohë, edhe presidentja e vendit të kuptojë se çfarë dëshira dhe kërkesa kanë këta fëmijë të këtyre moshave.
Me qëllim që letrat të jenë sa më origjinale, fëmijët duhet të shkruajnë me dorë (jo me kompjuter), më së shumti një faqe të fletores, dhe të njëjtat të fotografohen në mënyrë të qartë, të shkruhet emri dhe mbiemri i fëmiut, kontakti dhe të dërgohen në [email protected] dhe [email protected], deri më datë 17 qershor.
Juria do të përzgjedhë dhjetë letrat më të mira të kësaj gare, të cilat edhe do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.
Për këtë thirrje për fëmijët, krejt në fund do të organizohet edhe një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani./ KultPlus.com