Via Ferrata në Kuç, hap i madh për turizmin e aventurës

11 Mars, 2025 - 9:31 pm

Ndërhyrjet në infrastrukturën turistike të aventurës, synojnë të nxisin më tej eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë.

Një projekt inovativ ka marrë jetë përmes Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP), ku Çeta Hiking fitoi çmimin e parë për të realizuar Via Ferrata-n në Kuç, në rajonin e Vlorës.

Via Ferrata e parë në Shqipëri po ndërtohet për ngjitje në zona shkëmbore me instalime hekuri.

100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u  financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.

E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.

Ky zhvillim jo vetëm që do të diversifikojë ofertën turistike në rajon, por gjithashtu do të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme