16 Nëntor, 2020 - 3:26 pm
Njerëzit që luajnë videolojëra për periudha më të gjata ndjehen më të lumtur sesa ata që nuk luajnë, thotë një studim i Universitetit të Oxfordit, raporton BBC.
Hulumtimi i Institutit për Internet i Oxfordit është fokusuar në dy videolojëra:: Animal Crossing të Nintedos dhe Plants vs Zombies të EA.
Në një hap të pazakontë, zhvilluesit e videolojërave kanë ndarë të dhëna anonime se sa gjatë kanë luajtur pjesëmarrësit.
Këto më pas janë lidhur me një anketë ku lojtarët i janë përgjigjur pyetjeve për mirëqenien e tyre.
Një total prej 3.274 adhuruesëve të videolojërave morën pjesë. Të gjithë ishin mbi 18 vjet.
Profesori Andrew Przybylski, që ka bërë hulumtimin, ka thënë se ishte i befasuar me rezultatin.
“Nëse luan Animal Crossing për katër orë në ditë, çdo ditë, atëherë me gjasë do të ndjehesh dukshëm më i lumtur krahasuar me dikë që nuk luan. Kjo nuk do të thotë se vet Animal Crossing të bën të lumtur”, thotë Przybylski.
Por, ai ka shtuar, se në 40 vjetë hulumtime të mëhershme ishte thënë se sa më gjatë lojtarët luajnë, aq më të palumtur janë.
Akademikët thonë se një arsye për rezultatet e këtij hulumtimi të ri është se dy lojërat kanë edhe tipare sociale, ku lojtarët bashkëveprojnë me karakteret që i kontrollojnë njerëzit tjerë.
“Nuk besoj se njerëzit do të kalonin kohë të gjatë në lojëra me tipare sociale nëse nuk do të ndjeheshin të lumtur për këtë”, ka thënë profesori Przybylski.
Profesori i ka bërë thirrje prodhuesëve të lojërave tjera që të ndajnë të dhënat e ngjashme.
“Ne duhet të studiojmë më tepër lojëra, më tepër lojtarë, gjatë kohës”, ka thënë ai. / KultPlus.com