Vihet gurthemeli për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit

26 Korrik, 2019 - 2:41 pm

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e shtatores së veprimtarit Adem Demaçi.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, kështu tha Ramush Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Fillimisht, Haradinaj bëri homazhe pranë varrit të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

Haradinaj, me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit tha se, sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi të krijojë liri për popullin e tij të robëruar.

“Pa fjalën e tij, që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do të rreshtoheshin me lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha Haradinaj, duke shtuar se atij iu ndalua fjala, duke luftuar një jetë për lirinë e saj.

“Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, tha Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot na ka bashkuar Adem Demaçi, sikur na ka bashkuar edhe në të kaluarën brez pas brezi.

“Baca Adem tash e tutje do të flas edhe në bronz dhe do të japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi”, tha Hyseni.

Në emër të familjes, djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi të gjithë bashkëveprimtarët për nderimin që po i bëjnë Adem Demaçit. / KultPlus.com


Të ngjajshme