21 Tetor, 2021 - 9:47 pm
Sipas një studimi të ri, vikingët përdorën anijet e tyre për të kaluar Oqeanin Atlantik dhe për t’u vendosur në Kanada që në vitin 1021. Studimi shqyrtoi objekte prej druri nga një vendbanim viking në Newfoundland, të cilat japin të dhënat për njerëzit që kaluan Atlantikun dhe arritën në Amerikë.
Studiuesit arritën në një datë përfundimtare falë dy burimeve: drurit të copëtuar dhe një stuhi diellore që ndodhi një mijë vjet më parë. Kur vikingët arritën në L’Anse aux Meadows, ata copëtuan pemë duke përdorur tehe metalike, të cilat nuk ishin prodhuar nga popullsia autoktone që jetonte në atë zonë, asokohe. Shkencëtarët kanë identifikuar përmes unazave të këtyre pemëve, se ato i takojnë vitit 993. Pikërisht një vit më parë, dihet se ka ndodhur një stuhi masive diellore, që lëshoi një rrjedhë rrezesh kozmike.
Konfirmimi i kësaj date tregon që kjo është prania më e hershme e evropianëve në Amerikë, përpara Kristofor Kolombit. “Mendohet se vikingët u nisën drejt perëndimit për të gjetur lëndë të para të reja, më së shumti dru. Ky udhëtim midis kontinenteve për materiale të tilla, është përshkruar si hapi i parë i globalizimit”, shprehet për Cnn, studiuesi Dee.
Numri i saktë i udhëtimeve në Amerikë, ose se sa kohë ata qëndruan atje, është i paqartë, por dëshmitë aktuale tregojnë se ka të ngjarë të ishte një qëndrim jetëshkurtër për vikingët. Përpjekjet e mëparshme për të kuptuar se kur vikingët arritën në Amerikë kanë qenë të rrënjosura në Sagat Islandeze, të cilat tregojnë për takime të mundshme midis vikingëve dhe popullsisë autoktone të Amerikës. Disa nga këto ngjarje u përshkruan si miqësore dhe të tjera të dhunshme. /a2news/ KultPlus.com