11 Korrik, 2020 - 1:00 pm
Fiks në ora 11:07 të shtunën, me një kërcim nga ura e famshme në Mostar, është shënuar 25-vjetori i gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Kërcimi në ujë nuk është përcjellë me duartrokitje.
Njëjtë si në vitet e kaluara, kërcimi nga ura që mbrohet nga UNESCO, është bërë me organizim të klubit të kërcyesve në ujë “Mostari”, raporton Dnevni Avaz.
“Kur të bëhet kërcimi, në një mënyrë të gjithë kanë nevojë për duartrokitje. Në klub mendojmë se kjo është më e pakta e në të njëjtën kohë më e shumta që mund të bëjmë për të shënuar këtë datë të trishtuar, datën e gjenocidit në Srebrenicë, me porosinë që askujt dhe askund të mos i përsëritet një tmerr i tillë”, ka thënë Sasha Oruçeviq, zëdhënës i klubit.
Sipas tij, bota nuk ka mësuar leksionin nga ajo që ndodhi në Srebrenicë.
Kërcimin e ka bërë Igor Kaziq, kërcyes i njohur nga Mostari.
“Dikush shkon në marsh të paqes, ndërsa unë këtë ditë e shënoi në këtë mënyrë. Me kërcim në ujë shpërndaj mesazhin se gjenocidi në Srebrenicë asnjëherë mos të harrohet”, ka thënë ai.
Gjenocidin ndaj boshnjakëve e kanë kryer forcat serbe. Të shtunën në gjithë Bosnjën, por edhe në vende tjera është shënuar përvjetori i gjenocidit në Srebrenicë.
Janë deklaruar me këtë rast edhe drejtues institucionesh në Kosovë.