23 Tetor, 2019 - 11:30 am
Viktimat e krimeve në Kosovë vazhdojnë të jenë të pambrojtura si pasojë e moszbatimit të ligjeve në fuqi, thonë përfaqësues që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, gjatë kësaj jave në Kosovë po shënohet 10-vjetori i javës për të drejtat e viktimave të krimit.
Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka infrastrukturë ligjore të mirë për mbrojtjen e viktimave të krimit, por në shumë raste ligjet nuk zbatohet apo zbatohet pjesërisht.
“Kosova është një shtet i ri i cili ka një demokraci të brishtë, ka një drejtësi e cila ende nuk është krejtësisht e konsoliduar, ka një ambient politik jo të sigurt, ka një paqëndrueshmëri ekonomike dhe e gjithë kjo reflekton edhe te trajtimi i viktimave të krimit. Megjithatë, në Kosovë për herë të parë për dallim nga vendet tjera të rajonit, një komision për kompensimin e viktimave të krimit i cili ka punuar mirë dhe ka kompensuar një numër të konsiderueshëm të viktimave. Kjo ka ndihmuar viktimat e krimit që ta fitojnë një siguri tek institucionet”, thotë ai.
Kosova ka programin për kompensimin e viktimave të krimit i cili financohet nga buxheti i shtetit. Ky programi iu mundëson viktimave të veprave të dhunshme të kompensueshme të aplikojnë për kompensim financiar për dëmet si pasojë e veprës penale.
Kompensimi nga shteti mund të kërkohet në rastet kur viktima nuk mund ta realizojë të drejtën për dëmshpërblim nga i pandehuri apo kompensim nga burimet tjera.
Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, shton Shala, do të duhej të merren më shumë me aktivitete që parandalojnë krimin.
“Deri më tani nuk ka asnjë mekanizëm efikas që do të luante rolin parandalues. Nëse do të kishim një mekanizëm i cili do të ishte efikas në planin e parandalimit, atëherë numri i viktimat do të ishte i vogël. Pra, më shumë do të ishte mirë të flisnim për parandalimin e krimeve, por që fatkeqësisht në Kosovë po merremi me pasojat e viktimave të krimit”, thotë Shala.
Në Kosovë gratë janë viktimat më të shpeshta të akteve të krimit. Vitin e kaluar 1533 ka qenë numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje, kurse në 1229 raste viktima kanë qenë gra.
Përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se dhuna në familje, ka shtuar rastet e viktimave të krimit, që po manifestohet edhe me krime të rënda si vrasja e grave apo forma tjera të dhunës. Ky është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues për shoqërinë dhe autoritetet kompetente, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ka sinjale të mira që po përmirësohet trajtimi i viktimave të krimit, por sipas saj, prapë ndodh që të këtë dështim nga sistemi i drejtësisë në raste të caktuara dhe viktimat e krimit të mos ndjehen aq të sigurta.
“Kemi pasur disa raste vitin e fundit, do të thotë veçanërisht gjatë këtij viti ku kemi dy dënime me burgim të përjetshëm për dy vrasës të grave, që ka qenë një sinjal i mirë prej sistemi gjyqësor. Mirëpo, duhet të rikujtojmë që të dyja këto raste janë kthyer sërish në rigjykim dhe ka gjasa që nëse nuk vazhdojnë të jenë të ashpër gjyqtarët në shqiptimin e dënimeve, këto dënime edhe të ulen”, thotë ajo.
Moszbulimi ose mosndëshkimi i krimeve dhe po ashtu neglizhenca e mekanizmave të sigurisë, shton Berisha, po rrezikon në përsëritjen e rasteve të dhunës në familje, të cilat po përfundojnë edhe me fatalitet.
“Gjithmonë në rastet e dhunës në familje kur trajtimi nuk ka qenë adekuat, do të thotë konform normave ligjore, ashtu siç kërkohet sipas ligjit prej institucioneve vendore, kemi pasur që rasti ka shkuar dhe ka përfunduar me fatalitet. Është rasti i Zejnepes, rasti i Antigonës, janë raste të tjera të grave të cilat edhe pse fillimisht u janë drejtuar institucioneve, ato kanë hezituar, nuk ju kanë besuar, kanë fajësuar viktimat dhe në fund ushtruesit e dhunës kanë përfunduar edhe me vrasjen e tyre (të grave)”, thotë Berisha.
Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal dhuna në familje është futur si vepër e rënd penale.
Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. /Rel / KultPlus.com