“Vila e Enverit” hapet më 19 gusht: Cine Tarkovsky sjell fituesin e Palme d’Or 2019 në Tiranë

9 Gusht, 2019 - 11:00 am

Kush di se vila e diktatorit Enver Hoxha kishte pishinë e kinema personale apo se qyteti i Shkupit u projektua nga urbanistë grekë e japonezë?

Një kinema nomade, Cine Tarkovsky, evidenton objekte të izoluara për publikun, pjesë të arkitekturave të sistemeve totalitare që kanë qeverisur shtetet e Ballkanit, për t’i kthyer ato në kinema me hyrje të lirë për publikun, për një natë, përcjell Ndërtimi.info.

Stacioni i parë është Tirana, si një kryqëzim e si një qytet në një transformim intensiv. Brenda vilës së diktatorit Enver Hoxha, një vilë hermetike për mbi 60 vite, do të shfaqet filmi i vlerësuar me Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë për vitin 2019, Vasilis Kekatos, “Distanca mes nesh dhe qiellit”. I ftuari i parë i Cine Tarkovsky, Kekatos, do të shfaqë më 19 gusht filmat e tij të fundit e do të bisedojë me publikun dhe kineastët e rinj për rrugëtimin e tij artistik.

“Duket surreale që Fituesi i Kanës të na vizitojë vetëm 3 muaj pas fitores. Por ai do të vijë. Ngjan e pabesueshme që një vilë e izoluar ku Enver Hoxha jetoi e vdiq do kthehet në kinema. Por do të ndodhë”, thotë ai.

Image

Cine Tarkovsky është sipërmarrja e dy të rinjve, kineastit greko-shqiptar Neritan Zinxhiria, dhe arkitektes Iphi Ghenie, e rritur në Tiranë.

“U rrita në Tiranë, një qytet kolazh; Tirana është një dikotomi objektesh dhe monumentesh. Ndërtesash që kthehen në monumente, e monumentesh që sillen si objekte. Për pasojë, vendi i individit në këtë mjedis shndërrohet nga dëshmitar në pjesëmarrës.”- thotë Iphi Ghenie, e cila ka kontribuar si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Arkitekturës në Tiranë dhe vazhdon studimet e saj në ETH Zürich. Prej disa vitesh ajo ka bashkëthemeluar blogun e parë të arkitekturës në Shqipëri, arkitektëza.”Tirana është e vogël. Në një rreze prej pesë kilometrash nga qendra shtrihet gjithë qyteti, duke përfshirë periferinë e tij. Çdo ndodhi e rëndësishme e këtij qyteti manifestohet në arkitekturën dhe mjedisin e vet të ndërtuar. Lagjet e vjetra otomane, pjesë nga pazaret dhe xhamitë qëndrojnë akoma në qendrën e saj, përkundër arkitekturës italiane të fillimshekullit të kaluar, afër arkitekturës së ngurtë komuniste, ngjitur me kulla të reja në ndërtim. Shtrydhja e këtij numri ngjarjesh hapësinore në një hapësirë kaq të vogël i japin Tiranës një ndjesi të veçantë. Është lindje aq sa është perëndim. Xhami, kisha, e kulla qendrash biznesi e hotelesh shpojnë vijën e horizontit të qytetit. Dominimi i gjithçkaje, pa një hierarki të veçantë, e bën Tiranën të ngjajë si një eksperimet i vazhdueshëm urban. Tirana është një dikotomi objektesh dhe monumentesh. Ndërtesash që kthehen në monumente, e monumentesh që sillen si objekte”, thotë ai.

Ideja e lindjes së Cine Tarkovsky-t lindi nga pyetja : “Pse askush s’e merr seriozisht Ballkanin? Të dy u përpoqëm të gjenim një mënyrë për të nxjerrë Ballkanin nga limitet e një harte gjeografike, për të krijuar një hapësirë të përbashkët të diskutimit të hapur dhe komunikimit. Me naivitet romantik, të përcaktojmë më mirë çfarë është gjeografia njerëzore dhe sesi peizazhi urban i Ballkanit mund të marrë një identitet të ri, më afër e më përfaqësues tëshpresave dhe ëndrrave të njerëzve që e banojnë “- sipas Neritanit, i cili zgjedh të xhirojë filmat e tij në vende të ndryshme të Europës e Ballkanit. Filmi i tij i fundit “Një Vend Për Dy” u zgjodh nga New Museum dhe Fondacioni DESTE për ekspozitën “The Same River Twice” në Muzeun Benaki, Athinë.

“Shqipëria vazhdon të japë ndjesinë e një faze tranzitore, por tani i duhet të përballet me të gjithë problemet bashkëkohore me të cilat përballet kontinenti. Në sytë e mi mbetet një vend i kthjellët, që është përpjekur për shumë, ka arritur shumë e ka akoma më shumë për të arritur. Dyzet vjet izolim, shuplaka e rënies, problemet e betejat e brendshme, formuan një ndërgjegje kolektive tejet joshëse – të paktën në sytë e mi. Struktura sociale e vendit, ndikuar fuqishëm nga shumë probleme të së kaluarës, ka gjetur një formë ekuilibri dhe mbijetese përkundër kushteve politike. Një fenomen ky që vlen të përmendet.”

Neritani po përfundon filmin e tij të katërt me metrazh të shkurtër e ndodhet në fazën e produksionit të filmit të tij të parë me metrazh të gjatë.

Si synim kryesor të misionit të parë të Cine Tarkovsky, ata thonë se: “Duhet investuar ëndërrimi. Duket surreale që Fituesi i Kanës të na vizitojë vetëm 3 muaj pas fitores. Por ai do të vijë. Ngjan e pabesueshme që një vilë e izoluar ku Enver Hoxha jetoi e vdiq do kthehet në kinema. Por do të ndodhë. Këto ngjarje janë jashtë linjës së zakontë të ngjarjeve të Shqipërisë. Ështe një vend i ngrohtë ky, por njerëzit janë të varfër e të lodhur nga tranzicioni, krijuesit e rinj nuk kanë mjete financimi të qëndrueshme, e ndoshta, duke prezantuar historinë e Vasilit që me zero para fitoi Palmën e Artë në Kanë, do të shërbejmë si një strehë për ata që ëndërrojnë. Kjo nuk është utopi. Ne na duhet ëndërrimi.”

“Duhet theksuar se sivjet Shqipëria pati nominimin e saj të parë në Kanë me filmin me metrazh të shkurtër “The Van” nga Erenik Beqiri.”- përmend Neritani. “Vendet që jetuan nën peshën e izolimit nuk patën shansin të dëshmonin sesi artet po evolonin në shkallë botërore. Për pasojë, produksionet kryesisht në tematika pro-regjimit sollën që produsionet e post-komunizmit të fokusoheshin tek realiteti i jetës gjatë regjimit. Për fat, në dekadën e fundit ka kineastë që po e evolojnë gjuhën filmike, jo vetëm në shkallë lokale, por dhe ndërkombëtare”, thotë tutje.

Gjatë periudhës së komunizmit, e gjithë zona rreth vilës së Hoxhës ishte një qytet brenda qytetit. E izoluar nga pjesa tjetër e Tiranës, njohur si Blloku, ky Kremlin i vogël strehonte elitën politike dhe familjet e tyre. Sot Blloku është një nga zonat më të zhurmshme të kryeqytetit. Bare, pub-e dhe qendra biznesi i kanë dhënë një karakter larg të dikurshmit. Megjithëkëtë, e konservuar në kohë dhe hapësirë, vila e ish-diktatorit qëndron e paprekur.

“Nuk është e thjeshtë që të preket e të përdoret vila e një ish Diktatori e për këtë duhet një kujdes i veçantë në secilën ndërhyrje. Kjo vilë është hapur vetem tri herë për publikun, por vetëm në 19 gusht 2019 ajo do të jetë një kinema”, thotë ai.

150 të parët që do rezervojnë vendin e tyre në shfaqje do të hyjnë në vilë falas, prej të njëjtës derë që diktatori hynte, në 19 gusht. Ata do të ulen në hollin kryesor, do të shohin tri filma të shkurtër nga Vasilis Kekatos, duke përfshirë filmin fitues në Kanë. Më pas, Neritani dhe Vasili do të diskutojnë shkurtimisht mbi filmin e procesin e krijimit. Të gjithë pjesëmarrësit mund të marrin pjesë në diskutim, duke pyetur, duke u takuar e socializuar. Ndalesa e ardhshme e Cine Tarkovsky-t do të jetë Shkupi. Zemra e një vendi kontrastesh, bukurie brutale e kitchi, do të strehojë një tjetër film e kineast të rëndësishëm në nivel botëror, në verën e 2020-ës.

Image

Të ngjajshme