22 Janar, 2025 - 11:12 pm
Një mbrëmje e bukur, një natë ndryshe dhe një mysafir që përmbushi këtë natë të hënë me aq vlera ,dijeni dhe një muhabet aq spontan , me informata , modesti dhe plot humor.
Vildane Dibra Zhubi
Një vend në mes dhe zemrës të Londrës ku mblidhen gjithë artistët e famshëm botëror të teatrit dhe filmit por ku kemi fatin të mblidhemi edhe ne shtegtarët udhëtarë të përjetshëm nga Shqipëria, Ulqini dhe Kosova.
Shqipëria na ftoi dhe është Kosova ajo që na bashkon të gjithëve. Nuk e kam fjalën për patriotizëm, aspak, sepse patriotizëm jemi ngopur boll, por e kam fjalën për atë Kosovë që nuk i ndahet kurrë Ulqinit dhe nuk ia sjell shpinën edhe kur në pikë të verës pret me orë në kufirin shqiptaro-malazez.
Një vizitë e një shkrimtari, krijuesi aspak të moshuar nga mendja dhe biseda, por aq të ri në kujtimet e veta, e shndërroi me aq mjeshtri natën e hënë në një të shtune. ku të gjithë të lodhur nga puna dhe jeta relaksohen me bisedë, gaz dhe atmosferë të këndshme.
Nga Prishtina në Londër, edhe pse në moshën 80-të vjeçare me rrugëtimin që sigurisht ishte i lodhshëm, me shumë kënaqësi dhe pa përtesë bisedonte rreth librit “Misioni Rus”, por edhe mbi shumë tema tjera prej rinisë, kur kishte hëngër pendrekun e parë, nga dora serbe, e deri në botimin e gjithë krijimtarisë që kurrë nuk është ndalur. Nuk e di pse, por një grup i mbledhur rreth këtij zotërie, më la edhe një herë të mendoj se sa shumë të pa fat si komb kemi qenë dhe ndoshta ende jemi. Jemi komb që fatin gjithmonë e lypim jashtë vendit tonë por s’ arrijmë ta gjejmë dot, këtë përgjigje se gjej dot?!
Pyetje, kureshtje, humor gjatë gjithë bisedës ku secili kishte pes minutat e veta t’i bashkëngjitet shkrimtarit, e bëri natën edhe më të bukur.
U diskutua shumë edhe për vallen shqiptare ku bisedën e nisi Tom Kokona Arts-Management , prej asaj kohë kur vallja lindi, u transformua nga hapat dhe lëvizjet e fluturës në at vallen e kohës të komunizmit brutal , e deri në lëvizjet e shpatullave të gabuara që rrezikon origjinalitetin e vet. Përmendëm Shotën dhe aty ishte prezentë edhe valltarja Shotës Edi Ta; përmendem vallen e Osman Takës, vallen e Kukësit. Përmendëm Teki Dervishin, Ibrahim Rugovën, vizitat e autorit në Shqipëri, rrugëtimin e gjuhës shqipe . U përmend dhe lufta në Sarajevë, arti dhe krijimet e shqiptarëve në Londër dhe biseda mori vallen!
Vërtetë një natë për lakmi.
Qershia mbi tortë e kësaj të hëne ishte libri që më dhuroi autori për tragjedinë e Tivarit mbasi mbesa i kishte treguar që jam nga Ulqini dhe unë isha më afër Tivarit, se të tjerët mbrëmë ishte orë e shndërruar në sekonda, por në një shekull të gjatë nga bisedat e shkrimtarit që i kishte përjetuar në dekadat e kaluara.
Të Faleminderit zotëri Ibrahim Kadriu . Respekt dhe nderimet e mia.
Faleminderit Lirka Kadriu për ftesën, përveç që njoha shkrimtarin e nderuar takova dhe disa njerëz të ri që me aq kureshtje dhe interesim frymonin çdo fjalë të mysafirit nga Prishtina! Ishte një çast kur kalohet bukur, përmbush librin e kujtimeve tona dhe na përçon larg mendimeve dhe sfidave që i kemi çdo ditë.
Mes bisedës autori i shumë veprave, por në mes tyre edhe romani “Pas kthimi” nga i cili u realizua seria e njohur televiziv “Fidani” “Fidani”, Zotëri Kadriu ,na tregoi edhe këtë ngjarje: Deri sa ndërtonte shtëpinë autori, në një lagje në Prishtinë, del dhe i ndihmon mjeshtrit që kishte në oborr. Mjeshtri atë ditë ishte shumë i nevrikosur dhe shante gjithë kohën: heeee nanën e Fidani, hé nanën e Fidanit “-dhe nuk ndalej. Po mirë, e pyet zotëri Kadriu, perse po shan kaq shumë, ti po më ofendon!
Pse, çka ke ti me Fidanin, pse po të ofendoj unë ty? Unë e pësova keq puna Fidanit. Djali në vend që të kujdeset për lopët, ishte ulë me shiqu serialin e Fidani dhe lopët kishin marrë dhënë! Gjithë natën i kam lype nëpër male heeee nanën e Fidanit- vazhdonte mjeshtri!
Po unë more jam autor i Fidanit ia kishte kthye z.. Kadriu, ti po me shan mu! Megjithëkëtë, mjeshtri nuk ndalej dhe ende shante…..sepse ishte mundua shumë me i gjet lopët…
Këtë bisedë në Londër e mundësoi Tomorr Kokona, Arts-Management & British Albanian Culture & Arts Association në koperim me Koha Bar!/KultPlus.com