26 Mars, 2023 - 7:15 pm
Sot, kujtojmë lindjen e Vilhelm Vid (Wilehlm Wied), 26 Mars 1876-18 Prill 1945. Princ gjerman nga një familje protestante, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha europiane në tetor 1913 në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi më 21 Shkurt 1914 në Nojvid (Neuwed), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë.
Vilhelm Vidi erdhi në Shqipëri më 7 Mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë sundimit gjashtëmujor u përpoq të ruante balancën ndërmjet interesave të Fuqive të Mëdha në Shqipëri. Pas shpërthimit në maj 1914, të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme kundër tij, u detyrua të mbyllej në Durrës, i mbrojtur nga forcat e tij. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore në gusht 1914, ekuilibri politik ndërmjet Fuqive të Mëdha europiane u prish dhe Vilhelm Vidi humbi mbështetjen ndërkombëtare. Abdikoi formalisht dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. / KultPlus.com