Virologu gjerman tregon se sa shqetësues është varianti i ri Omicron

14 Dhjetor, 2021 - 8:15 pm

Përhapja e shpejtë e variantit Omicron ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Rastet e infektuara me variantin e ri të Covid-19 vazhdojnë të rriten.

Epidemiologu i njohur në Gjermani, Christian Drosten, ka kërkuar nga qeveria gjermane që të veprojë me vendosmëri, duke theksuar se shpejtësia e përhapjes së sëmundjes “është dukshëm më e madhe se sa ishim mësuar me variantin Delta”.

Virologu vë në dukje se është ende herët për të vlerësuar me saktësi të dhënat që tregojnë se ky variant i ri i koronavirusit mund të kalohet më lehtë dhe thekson rëndësinë e njohjes së ndikimit të tij real midis njerëzve që nuk janë infektuar më parë dhe atyre që nuk janë vaksinuar.

“Informacioni për atë që po ndodh në Afrikën e Jugut më shqetëson gjithnjë e më shumë. Ajo që po shihet është se fëmijët më të vegjël po shtrohen gjithmonë e më shumë në spital, në gjendje të rëndë”, shtoi ai, raporton a2news.

“Një situatë e tillë, në një vend si Afrika e Jugut, ku praktikisht e gjithë popullata është prekur nga virusi ose është vaksinuar, mund të shërbejë si një paralajmërim për atë që mund të ndodhë në vende të tjera  të botës. Rasti i Afrikës së Jugut mund të transferohet kudo dhe ekziston frika se ata që nuk janë vaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar më parë sëmundjen, mund ta kalojnë më rëndë variantin e ri”, theksoi ai.

Eksperti gjerman thekson se vaksinat mbeten mjeti më i mirë për të luftuar pandeminë, veçanërisht përballë një varianti të tillë kaq ngjitës: “Kushdo që mundet, duhet të marrë një dozë përforcuese menjëherë”. / KultPlus.com

Të ngjajshme