15 Maj, 2020 - 10:58 am
Viti 2020 llogaritej si pikë kthese për marrjen e masave nga ngrohja globale, por pandemia e koronavirusit mori vëmendjen, duke bllokuar edhe procesin historik të biodiversitetit. Ani pse bllokoi këtë proces, pandemia me efektet e saj anësore ka bërë punën e vet në ndryshimin e mjedisit.
Sipas grupeve të konservimit, pandemia ka ndërprerë procesin e punës dhe fondeve që mund të sjellin pasoja për vitet në vijim. Por ne mund të shfrytëzojmë mundësinë që të veprojmë fuqishëm për të mbrojtur natyrën, thonë doktorët Diogo Veríssimo dhe Nisha Owen nga grupi i fushatave “On The Edge Conservation”. Pandemia goditi vitin që ishte menduar të jetë një vit historik për biodiversitetin. Objektiva të tjera për mbrojtjen e natyrës mendohet të vendosen në tetorin e këtij viti. Izolimi i ka sjellë disa ndryshime mjedisit, duke përfshirë rigjenerimin e hapësirave të egra të hapësirave urbane, ne dimë shumë pak se si zona të mëdha të botës që zotërojnë sasi të mëdha të biodiversitetit kanë qenë larg zhvillimit, ka thënë Owen.
“Ka raporte që vijnë nga aktivitete të paligjshme që ndodhin në terren që nuk janë duke u patrulluar, monitoruar ose numëruar për shkak të efekteve të izolimit të koronavirusit, stafit të zvogëluar ose zvogëlimit të fondeve”, ka shtuar ajo.
Sipas doktoreshës Owen, nuk do ta dimë shkallën e ndikimit që do të mund ta kishin jeta e egër dhe biodiversiteti, derisa ne jemi në gjendje ta vlerësojmë sistematikisht këtë, dhe kjo ndoshta nuk do të ndodhë derisa të dalim nga izolimi. Humbja e fondeve për punën e konservimit ka shkaktuar një shqetësim të madh, veçanërisht për speciet më pak të njohura, siç janë pangolinët.
Shkencëtari nga Universiteti i Oksfordit, dr. Verissimo, tha se nuk janë vetëm organizatat në vendet e largëta që kanë vështirësi kohëve të fundit, edhe në Britaninë e Madhe këto organizata janë prekur si pasojë e koronavirusit. Grupet The Wildlife and Countryside Link, dhe një koalicion i më shumë se 50 grupeve të mjedisit dhe jetës së egër në Angli, kohët e fundit kanë paralajmëruar në një raport që bamirësit e mjedisit në Mbretërinë e Bashkuar po përballen me një humbje dramatike të të ardhurave, të cilat do të ndikojnë në aftësinë e tyre për t’u kujdesur për tokën tonë, mbrojnë jetën e egër, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe rënien e natyrës për vitet në vazhdim.
Tani vijmë në pikën ku u mendua që ky të jetë viti historik për biodiversitetin, siç u përcaktua nga Kombet e Bashkuara, duke arritur kulmin në një konferencë globale të biodiversitetit në tetor, ku duhej të hartoheshin synimet e reja për trajtimin e biodiversitetit gjatë dekadës së ardhshme.
“Megjithëse orari ka ndryshuar, kjo është një mundësi kryesore për udhëheqësit botërorë që të vendosin qëllime të forta dhe të theksojnë se biodiversiteti është esencial për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut, si dhe për planetin në të cilin jetojmë”, ka thënë doktoresha Owen. Ndërkaq doktori Veríssimo ka shtuar se burimi i kësaj pandemie vjen nga një kafshë e egër. “Kjo ka të bëjë me raportin tonë me natyrën, dhe se si ne tani i kemi futur kafshët në kontekste dhe situata kur këto lloj sëmundjesh kanë më shumë gjasa jo vetëm që të kalojnë speciet brenda jetës së egër, por të prekin edhe njerëzimin”, ka thënë ai. /koha/ KultPlus.com