Viti 1989 ndryshoi botën moderne

9 Nëntor, 2019 - 12:00 pm

Ngjarjet botërore kalojnë me shpejtësi, por është fort e vështirë të maten shpejtësia dhe fuqia e ndryshimeve të vitit 1989. Çdo gjë gufoi në një prej skenave më të famshme në historinë e njerëzimit, rënien e Murit të Berlinit.

Muri u rrëzua pjesërisht për shkak të një gafe burokratike, por ndodhi në periudhën e një vale të revolucionit që la mes dy zjarresh bllokun komunist të prirë nga sovjetikët, raporton BBC, përcjell sot Koha Ditore. Ata mbetën mes kolapsit apo ndihmës për të definuar një rend të ri botëror.

Ishte nëntë nëntori i vitit 1989, pesë ditë pasi nja gjysmë milioni njerëz u bënë bashkë në Berlinin Lindor në një protestë që shtyu në rrëzimin e Murit të Berlinit, që e ndante Gjermaninë komuniste të Lindjes nga pjesa e Perëndimit. Liderët e lindjes tentuan të qetësonin protestën duke hapur kufijtë me procedurat e lehtësuara, ama nuk e kishin ndërmend ta hapnin kufirin në tërësi. Ndryshimet do të ishin krejt të vogla, por mënyra sesi u përçuan te populli, pati pasoja të mëdha.

Njoftimi për rregullat e reja i ishte dorëzuar zëdhënësit, Gunter Schabowski. Ai nuk e lexoi njoftimin para konferencës së rregullt për media. Kur e lexoi me zë për herë të parë, gazetarët u rrëqethen.

“Udhëtimi privat jashtë shtetit tani mund të bëhet duke aplikuar pa parakushte”, kishte thënë zëdhënësi që i shtyu gazetarët të pyesnin për më shumë detaje rreth këtij vendimi.

Teksa shfletonte dokumentet, Schabowski kishte thënë se për aq sa ishte i njoftuar, vendimi kishte efekt të menjëhershëm. Në fakt, vendimi do të hynte në fuqi të nesërmen dhe përmbante detaje për aplikim të vizës. Mirëpo lajmi mori dhen dhe gjermanët e lindjes vërshuan kufirin me rreshtin që nuk kishte përfundim.

Harald Jäger, rojë kufitare në ditën e njoftimit, në vitin 2009 në një rrëfim për gazetën “Der Spiegel” kishte thënë se i hutuar kishte ndjekur konferencën për media, ndërsa mbeti i shtangur nga turma e madhe e njerëzve. Jäger menjëherë thirri shefat, por nuk i dhanë urdhër për të hapur portën as për të shtënë në drejtim të turmës. Me vetëm nja dy-tre roja përballë qindra qytetarëve të inatosur, forca nuk do të përdorej fare.

“Pa shtënë fare, njerëzit kanë mundur të lëndohen ose vriten nëpër tela ose sikur të shkaktohej panik gjatë kalimit të kufirit”, kishte thënë ai për “Der Spiegel”. “Për këtë shkak njerëzve të mi iu thashë: Hapeni portën”, shton ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme