24 Qershor, 2023 - 11:45 am
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim dedikuar shkrimtarit të mirënjohur Petro Marko. Në kuadër të “Vitit Petro Marko”, miq e adhurues të shkrimtarit, e sollën në kujtesë figurën e këtij personazhi kaq interesant dhe fatal në jetën e tij plot tallaze, në një aktivitet ku u bë bashkë kinemaja dhe fjala.
“Petro Marko ishte një shpirt i lirë”, Fatos Arapi e përkufizonte kështu Petro Markon, një nga figurat e rëndësishme të historisë sonë letrare.
Në këtë aktivitet, ku e pranishme ishte edhe bija e tij, Aranita Marko, u shfaq dokumentari “Petro Marko një gur në vendin e vet”, realizuar nga Namik Ajazi dhe pasazhe nga filmi “Shpella e piratëve” me regji e skenar të Eduart Makrit, e interpretimet e aktorëve Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku, Kristaq Skrami, rrëfimet e Helena Kadare, Bashkim Kyçuku, Mimoza Ahmeti, Behar Gjoka, Frrok Çupi, Aleksandër Çipa, Leka Ndoja e të tjerë.
Ata sollën në kujtesë gjithë dimensionin e tij njerëzor e letrar.
Viti 2023 do të jetë viti i Petro Markos. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare shpallën këtë vit si “Viti i Petro Markos”, në nder të 110-vjetorit të lindjes së një prej figurave të rëndësishme të historisë sonë letrare./atsh/KultPlus.com