2 Shtator, 2023 - 9:30 am
Qindra mijëra nxënës në Kosovë të premten filluan vitin e ri shkollor mes debatesh e pakënaqësish mbi mënyrën e furnizimit me tekste shkollore.
Ndonëse ka 15 vjet që ministria e Arsimit në Kosovë i shpërndan falas tekstet shkollore, këtë vit kjo ministri vendosi që t’i kompensojë prindërit me të holla pasi t’i kenë blerë ato.
Kompensimi për blerjen e teksteve shkollore do të bëhet nërpërmjet platformës digjitale ‘ekosova’ ku për nxënësit nga klasa e parë deri në të gjashtën do të ndahen nga 80 euro, ndërkaq për klasët nga gjashtë deri te e nënta do të ndahen nga 30 euro për materiale të tjera meqë tekstet shkollore i kanë të siguruara nga viti paraprak.
Kjo formë e furnizimit me tekste shkollore është kritikuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe partitë opozitare në vend, që ndër të tjera kanë shprehur shqetësimin mbi mundësinë e keqpërdorimeve nga libraritë.
Përfaqësues të ministrisë së Arsimit janë zotuar se në bashkërendim me Autoritetin e Konkurrencës, do të shmangin çfarëdo keqpërdorimi me çmimet e teksteve shkollore.
Ministria e Arsimit njoftoi të enjten se deri tani numri i aplikimeve ka shkuar në mbi 115 mijë, duke theksuar se platforma për kompensim do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit shtator.
Ministria tha se njëkohësisht ka nisur një proces të rishikimit të të gjitha teksteve shkollore me synim përmirësimin e cilësisë në arsim.
Ekspertë të arsimit në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin për probleme të shumta që sipas tyre e karakterizojnë sistemin arsimor të vendit. Ata theksojnë se vlerësimet ndërkombëtare nxjerrin në pah se nxënësit në Kosovë janë 7.8 vite prapa në cilësi nga bashkëmoshatarët në vende të tjera./VOA/KultPlus.com