25 Gusht, 2020 - 6:30 pm
Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri kanë vijuar konsultimet me akterë të ndryshëm mbi masat e ndërmarra deri më tani me qëllim krijimin e kushteve të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
Në Facebook, ministrja Besa Shahini bën me dije se ditën e sotme janë zhvilluar konsultime mes zëvendësministres Nina Guga, drejtorëve të MASR Zamira Gjini, Selman Hodaj dhe Gerti Janaqi, me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillit Kombëtar të Prindërve, sindikatave e arsimit dhe organizatave të ndryshme.
Masat e ndërmarra deri më tani nga Ministria e Arsimit, mënyra e zhvillimit të mësimit dhe detajimi final i udhëzuesit për vitin e ri shkollor ishin disa prej temave të trajtuara në këtë konsultim mes përfaqësuesve të ministrisë dhe palëve të tjera.
Shahini nënvizon se në fokus të punës së ministrisë që ajo drejton “qëllim kryesor për vitin e ri shkollor, është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollë”./ A2 CNN