Viti jubilar i Puçinit, interpretohen në COD veprat më të njohura të kompozitorit

3 Dhjetor, 2024 - 11:27 am

U zhvillua mbrëmë, në COD, aktiviteti “Vissi d’arte, vissi d’amore”, titull frymëzuar nga një arie e famshme e kompozitorit italian Xhakomo Puçini.

Ky aktivitet që u zhvillua për të parën herë, në mjediset e Kryeministrisë, erdhi në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Puçinit, ngjarje të cilës teatrot më prestigjiozë botërorë i kanë dedikuar vitin jubilar 2024.

Ashtu si në shumicën e kryeqendrave botërore, edhe në Tiranë, përgjatë 2024-ës u realizuan koncerte e vënie në skenë të operave të shkruara nga Puçini. Në përmbyllje të këtij viti, në COD u interpretuan veprat më të njohura të tij, përfshirë romancat për vokal-piano, veprat pianistike (premierë), arie të Suor Angelica për oboe-piano dhe pjesë nga Toska për 4 duar në piano.

Ishin të pranishëm personalitete të shquara të artit muzikor shqiptar si, kompozitori Zef Çoba, sopranoja Shqipe Zani, muzikologja Holta Sina Kilica, sopranoja Eriona Gjyzeli etj. Përveç interpretimeve, u analizua jeta dhe krijimtaria e kompozitorit, duke theksuar rëndësinë e veprave të tij në historinë e muzikës dhe ndikimin e tyre në artin e operës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme