Vitia: Moshat e reja po kanë simptoma të rënda nga varianti Delta

31 Gusht, 2021 - 4:59 pm

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë para mediave se varianti Delta i COVID-19 është shumë më agresiv se variantet tjera dhe se ai po i prek edhe moshat e reja.

Vitia ka thënë se një pjesë e të rinjve të infektuar po kanë edhe simptoma të rënda.

 “Duket se në mesin e qytetarëve por jo vetëm është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejtë është më i lehtë se variantet paraprake. Me shumë keqardhje më duhet të ju them se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ky variant në studimet e fundit tregon se përveç shpërndarjes shumë më të shpejtë se variantet tjera paraprake, është edhe një nga viruset më agresive respiratore për momentin. Shpërndarja e tij është me e shpejt se sa gripi i zakonshëm, dhe ekuivalentë me linë e ujit që është sëmundja më ngjitëse që njehë sot shkenca. Një pjesë e madhe e moshave të reja po kanë simptome edhe të rënda”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se kjo ka ndikuar edhe që të përkeqësohet situata në spitale për një kohë shumë të shkurtër.

“Kjo natyrisht ka përkeqësuar situatën edhe në spitalet tona ku për një kohë shumë të shkurtër janë mbushur me pacientë me COVID. Gjatë takimit me komitetin e SHSKUK, kjo ishte brenga kryesore e profesionistëve tanë. Fal angazhimit të personelit shëndetësorë në spitale janë rritur kapacitetet dhe përkundër vështirësive të shumta me të cilët po përballen ata, situata është në kontroll”, ka shtuar ai.

Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, e pasi të marrin dy dozat e vaksinës të presin deri në 14 ditë që vaksina të bëj punën e saj./KultPlus.com

Të ngjajshme