19 Korrik, 2024 - 2:20 pm
Fluksin e lartë të turistëve që po vizitojnë vendin po e konfirmojnë edhe statistikat rreth shfrytëzimit të strukturave akomoduese.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vizitorët jorezidentë në strukturat akomoduese në vend u rritën me 63.2 % në muajin maj të këtij viti, krahasuar me majin e një viti më parë.
Numri i vizitorëve gjithsej, thotë INSTAT, është rritur me 45.8%, në krahasim me majin 2023, ndërsa numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 30.9%.
Numri i vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në rajonin qendër, thuhet në raport, ka shënuar rritje me 84 %.
Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 42.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezident në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 62.2 %.
Vizitorët nga Kosova kryesuan gjatë kësaj periudhe me 11.4 %, të ndjekur nga vizitorët italianë me 10.3 %. 6.8 % e vizitorëve ishin gjermanë, 6.2 % ishin polakë dhe 3.8 % ishin nga Mbretëria e Bashkuar.
Norma neto e shfrytëzimit, të dhomave tregues i cili mat përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese të disponueshne për vizitorë, gjatë këtij muaji, është 25.1 %, kundrejt 18.7 % që ishte në muajin maj 2023.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 25.9 %, kundrejt 21.1 % që ishte në muajin maj 2023./atsh/KultPlus.com