Vjet në Kosovë u kurorëzuan mbi 16 mijë çifte, mosha mesatare 30 vjet

17 Korrik, 2019 - 12:52 pm

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2018”.

Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile në Kosovë.

Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, janë grumbulluar gjithsej 18.332 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3.

“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2018 janë kurorëzuar 16.871 çifte-bashkëshortore”, thuhet në komunikatë.

Nga gjinia femërore, me përkatësi etnike shqiptare janë 94.0%, kurse 95.8% janë meshkuj të përkatësisë etnike shqiptare.

“Femra me përkatësi etnike serbe janë 1.1% dhe meshkuj 1.1%; femra të përkatësisë etnike turke janë 0.4%, kurse meshkuj janë 0.5%; femra me përkatësi etnike boshnjake janë 1.1%, kurse meshkuj janë 1.0%; femra me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë 1.2%, kurse meshkuj janë 1.3%; femra me përkatësi tjetër etnike janë 2.3%, kurse meshkuj 0.4%”, thuhet në komunikatë.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.

“Në kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5.398, ose 32.0%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5.341, ose 31.7%. Më së shumti kurorëzime ishin në komunën e Prizrenit, 1.589 raste, ose 8.7%, pastaj vjen Prishtina me 1.285 kurorëzime, ose 7.0%, ndërsa në Ferizaj ishin 1.067 kurorëzime, ose 5.8% etj”, thuhet tutje.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10.602, ose 62.8%, kurse e meshkujve ishte 11.701, ose 69.4%. / KultPlus.com

Të ngjajshme