25 Mars, 2022 - 3:29 pm
Më 2 prill, në ditën ndërkombëtare të autizmit, Vjosa Fondacion me seli në Finlandë organizon Gala Mbrëmjen Humanitare për Autizëm, mbrëmje kjo që do të mbahet në Vali Ranch, shkruan KultPlus.
Lulzim Behxheti, themelues i këtij fondacioni ka njoftuar për KultPlus se në këtë mbrëmje do të prezantohet ankandi i 1200 portreteve që janë realizuar nga vet Behxheti, ankand që edhe do të shënojë nismën e këtij fondacioni që ka për qëllim edhe ndërtimin e kampusit për adoleshentët me autizëm.
“Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë shumë figura që u kam realizuar portretet e tyre gjatë periudhës së karantinës, duke përfshirë figurat më të mëdha të kombit shqiptar e deri te shumë kontribuues në kulturën e historinë shqiptare”, ka thënë Behxheti.
Ai ka njoftuar se në këtë mbrëmje, përpos paraqitjeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, do të paraqiten me performancë edhe sopranoja e famshme Inva Mula, ambasadorja e Vjosa Fondacion, Erza Muqolli, pianistja Lule Elezi, aktorja Vlora Merovci, Anna Krasniqi me një performancë muzikore dhe grupi i baletit Dancing House.
Kjo Gala Mbrëmje do të transmetohet live edhe nëpërmjet Radio Televizionit të Kosovës, kurse të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj mbrëmje, do të kenë mundësi që të kontribuojnë me blerjen e portreteve, mjete që do të shkojnë direkt në konton e Vjosa Fondacion.
Gala Mbrëmja do të mbahet më 2 prill, dhe fillon prej orës 19:00 deri në ora 23:00. / KultPlus.com