30 Shtator, 2024 - 11:31 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro firmosi sot dosjen e përgatitur për t’u dorëzuar në UNESCO për përfshirjen e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Kumbaro theksoi se “nuk mund ta nisja më mbarë këtë javë se sa duke firmosur dosjen që po nisim në UNESCO. Vjosa do të regjistrohet në kategorinë e re “Njeriu dhe biosfera”. Është një nga kategoritë më interesante që ka UNESCO, kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën. Pas një pune shumë të gjatë që ka ecur paralel me planin e menaxhimit të parkut kombëtar të Vjosës. Ka ecur paralel me përgatitjet për qendrën e vizitorëve, punën për të cilën e nisim brenda vitit”.
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët e unionit ndërkombëtar për zonat e ruajtura natyrore dhe me ekspertët e UNESCO-s dosjen e kanë bërë gati. Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertë e UNESCO-s në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re. Për ta rritur emrin e vet për t’i përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte te reja për secilën nga zonat që shtrihen në pellgun e Vjosës, përfshirë të gjitha bashkitë e qarkut Gjirokastër, nga Libohova, Dropulli, Gjirokastra deri në lumin Drino, Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Memaliaj, por edhe Fier, Selenicë e Vlorë, për të shkuar në grykëderdhjen e saj”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro shprehu falënderimet për të gjithë aktorët që nga shoqëria civile, deri tek banorët lokalë që kanë ruajtur të paprekura vlerat e Vjosës.
“Kjo dosje është kontribut i tyre”, shtoi ajo.
Dosja për përfshirjen e Parkut Kombëtar të Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera” është një punë e imtësishme dhe e mirëkoordinuar e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me ekspertët e UNESCO dhe Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës, IUCN, që shkon paralelisht me miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit dhe Qendrën Multifunksionale të Vizitorëve të Vjosës, duke krijuar shtigje të reja për krijimin e produkteve të turizmit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjes së vlerave të trashëguara nga komunitetet lokale./atsh/ KultPlus.com