7 Nëntor, 2020 - 9:34 pm
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani , ka reaguar pas fitores së Joe Biden.
Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë sa presidenti i sapozgjedhur i Amerikës, Joe Biden.
Tutje ajo ka shtuar se është një nderë i jashtëzakoshëm për të që në emër të popullit më proamerikan në botë ti uroj Presidentit Amerikan, Joe Biden dhe Zëvëndës Presidentes Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore.
“Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë e aq afër sa Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden.
Pak njerëz i kanë qëndruar pranë Kosovës në kohën kur ai na u gjend pranë.
Ai ishte zëri ynë, kur ne nuk kishim zë.
Sepse mbrotja e jetës e dinjitetit njerëzor, për të ishte mbi të gjitha.
Populli i Kosovës i shpëtoi shfarosjes nga regjimi serb për shkak të mbështjetjes bipartizane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por shpëtoi edhe për shkak të njerëzve si Joe Biden. Sepse ai nuk heshti kur ne tentonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk qëndroi indiferent para padrejtësive, në Kosovë e gjetiu. Prandaj edhe sonte, teksa një gazetar në CNN me lot në sy po komentonte fitoren e Biden, ai e tha atë që po e mendonim dhe ndjenim që të gjithë: “Nga sot është më e lehtë të jesh prind. Karakteri ka rëndësi. Ta thuash të vërtetën ka rëndësi. Të jesh njeri i mirë ka rëndësi”.
Joe Biden nuk e ktheu kokën prapa kur ne e përjetuam ferrin nga shteti i Serbisë. Jo vetëm pse ishte politikan i jashtëzakonshëm e i mirë, por sepse ishte edhe njeri i mirë. Si i tillë ai nuk mbyllte sytë kur një popull shtypej, por na doli në krah.
Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do të punojmë së bashku, që raportet tona speciale e aleanca jonë strategjike të forcohen edhe më tej. E mbi të gjitha, do të punojmë ta bëjmë Kosovën vend të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë, në mënyrë që t’i bëjmë krenar edhe miqtë tanë si dhe Presidentin Biden!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!/KultPlus.com