2 Korrik, 2019 - 2:00 pm
Nën organizimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës sot u mbajt mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare Skënder Gashit.
Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave.
“Kam pasur rastin që gjithashtu të njohë nga afër profesor Gashin dhe respektoj kontributin e tij për liri, pavarësi, në arsim, por edhe rolin diplomatik të tij. Roli i tij ishte i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare, afirmimin e Kosovës dhe në këtë aspekt duke respektuar meritat e Gashi, kam vendosur që të ndaj medaljen presidenciale të meritave”, deklaroi kreu i shtetit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se po ndahen nga një njeri që dha shumë për Kosovën.
“Sot jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cilin edhe në Prishtinë edhe në Vjenë ia ka kushtuar jetën misionit si profesor dhe si veprimtar. Në emër të kryetarit Mustafa, të LDK-së, sot me mërzi i themi lamtumirën e fundit për të lënë testamentin që ta duam Kosovën, ashtu siç baballarët tanë, themeluesit e LDK-së e realizuan”, tha ai.
Profesor Rifat Blaku u shpreh se emri i profesorit Skënder Gashi nuk do të shuhet kurrë.
“Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm. Veprat e të cilit shërbejnë si pikë referimi për studiuesit e ri. Me profesor Skënderin kam pasur fatin të bashkëpunojë dhe ishte njeri i urtë, modest, i kulturuar, por shumë i respektueshëm për të gjithë. Skënder Gashi në Vjenë bënte punë të jashtëzakonshme. Sot Kosovës po i shkëputet një yll i cili nuk do të shuhet kurrë”, tha ai.
Ndërsa, djali i profesorit Skënder Gashit, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi falënderoi të gjithë që kanë nderuar jetën dhe vlerën e babait të tij. “Një falënderim që e mundësuar që në shtëpinë e tij, në LDK, të nderohet edhe një herë”, u shpreh ai.
Skënder Gashi ka vdekur më 27 qerrshor në moshën 77 vjeçare. Gashi ishte lindur më 1942 në Mramor të Prishtinës, ai njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë. Gashi ishte punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës nga viti 1980 deri më 2003 dhe ka punuar si lektor i gjuhës shqipe në Vjenë. Atje edhe kishte botuar revistën shkencore “Dardania”.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”.