10 Shkurt, 2020 - 2:00 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ka kërkuar sot që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës, shkruan KultPlus.
Përmes një statusi në Facebook, Dumoshi ka thënë se Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, andaj duhet miratuar ky vendim për t’i gjetur vend Antonit në Prishtinë.
Ky është postimi i plotë i Vlora Dumoshit:
Si asambleiste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, kërkova që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.
Sivjet është 100 vjetori i lindjes së Antonit dhe po ashtu 30
vjetori i Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.
Kjo lëvizje e madhe, që bashkoi djem e vajza, të ri e të vjetër u bë shtytja
themelore për programin e mëvonshëm për liri, pavarësi dhe demokraci.
Për më tepër, kjo lëvizje bashkoi popullin shqiptar të Kosovës, që sot të jemi
të lirë dhe të pavarur.
Kosova dhe Prishtina i kanë borxh Antonit, prandaj sot kërkohet
prej nesh, që të miratojmë një vendim për t’ i gjetur vend Antonit në
Prishtinë.
Sepse kështu e ndreqim një gabim të madh.
Sepse kështu e bëjmë Prishtinën më të bukur.
Sepse kështu Prishtinës ia japim një monument, para së cilit secili shqiptarë
do të ndihet krenar dhe i lartësuar.
Figura e tij e humanizon Prishtinën dhe mund të bëhet një pikë orientimi për qytetin.
Figura e tij e fisnikëron Prishtinën dhe i jep dimension etik kryeqytetit të Kosovës, për të cilën ai punoi me dashuri dhe përkushtim.
Të dashur asambleistë, një monument për Antonin, duhet të na bashkojë të gjithëve në këtë jubile të dyfishtë për të dhe për trashëgiminë e tij të pasur e bashkuese.
Kosova sot ka nevojë për frymën e tij.
Prishtina sot ka nevojë për figurën e tij.
Prandaj ju ftoj që të bashkohemi sipas filozofisë së Antonit dhe për të mirën e brezave që do të vijë.
Me urti e mirëkuptim, për të mirën e përbashkët.
Nëse sot i japim udhë kësaj pune, kryeqytetit tonë do t’ i japim një monument madhështor të urtësisë, dashurisë dhe përbashkimit. / KultPlus.com