5 Shkurt, 2020 - 2:00 pm
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përzgjedhur Vlora Dumoshin për pozitën e ministres në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Vlora Dumoshi, e cila më parë ka qenë në postin e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, sapo ka pranuar detyrën e re, pozitën e ministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Ish-ministri Kujtim Gashi ia dorëzojë detyrën ministres së re Vlora Dumoshi për të udhëhequr MKRS-në në këtë mandat qeverisës.
Ai tha se është kënaqësi që i dorëzon postin një ministres që e njeh punën.
“Për mua është kënaqësi e veçantë ta pres për t’ia dorëzua postin, zonjës Dumoshi, për dy vite sa kam qenë në këto zyre jam munduar t’i qoj përpara disa projekte, tani shumë projekte zonja Dumoshi do t’i qoj përpara. Ka pasur shumë sfida duke pasur parasysh që ka shumë kërkesa ka pasur projekte të mëdha kapitale me të cilat mburret ministria. Jam i bindur që sot vjen një figurë shumë e respektuar e Prishtinës që ka dhënë një kontribut si drejtoreshë në Prishtinë dhe sa ka qenë edhe pse shkurt, pasi vjen një ministre që e njeh punën”, tha ai.
Gashi u shpreh i gatshëm të jap kontribut dhe të bashkëpunojë edhe sa të jetë në kuvend.
“Shpreh gjithë kapacitetin si ministër të mbështes projektet që vinë nga kjo ministri. E keni një buxhet të rritur dhe pasi kemi projekte të mëdha, si stadioni dhe salla e baletit dhe besoj fuqishëm që do të ju duhen vetëm disa javë që këto të vazhdojnë”, tha ai.
Ministrja Vlora Dumoshi tha se do të punojë ngushtë me komunitetin e kulturës dhe sportit dhe poashtu edhe me ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë.
“E vlerësoj pritjen tuaj, unë i siguroj komunitetin kulturor dhe sportiv që do të punojë dhe vazhdimësia ime do të jetë edhe e ministrave të mëparshëm. Puna ime do të jetë e afërt me këto komunitete, prandaj jemi afër që kjo të arrihet. Do të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve dhe në veçanti të komunitetit të rinisë dhe sportit”, tha ajo. / KultPlus.com