10 Maj, 2024 - 8:30 pm
Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si ‘perla’ e Rivierës shqiptare, çeli sot sezonin e ri turistik me një sërë aktivitetesh.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, në një intervistë në media, foli për nisjen e sezonit turistik në qytetin bregdetar, ndërsa u shpreh se aktivitetet sportive gjithashtu nuk do të mungojnë.
Po ashtu Vlora ka atraksione arkeologjike dhe fshatrat përreth që ofrojnë mjedise shumë tërheqëse.
“Vlora është një nga destinacionet kryesore dhe ne kemi pritshmëri shumë më të larta këtë vit. Presim që sfida të jetë edhe më e madhe por kjo nuk na tremb. Kemi marrë disa masa dhe këtë mbrëmje do të ketë një koncert në hapje të sezonit turistik. Aktivitete kemi pasur edhe në datat 7-8. Kemi pasur shumë pjesëmarrës të huaj në aktivitetet që ne kemi organizuar. Sot në koncert do të jetë disa këngëtarë shqiptarë”, u shpreh Dredha.
Sipas tij, fokusi kryesor është që të kemi një siguri absolute për të gjithë të huajt që zgjedhin Vlorën si destinacion të pushimeve të tyre.
“Shifrat pritet të shkojnë në 13-14 milionë turistë, patjetër që Vlora ka rëndësinë e saj. Në Vlorë po bëjmë një projekt 18 milionë euro për instalimin e ujit të pijshëm, por gjatë sezonit patjetër punimet do të ndalohen”, tha ai.
Kryebashkiaku u bëri thirrje bizneseve që të bëjnë shumë kujdes me çmimet.
“Nuk mund t’i çojmë çmimet deri në atë pikë që të jenë të papërballueshme. Ndërsa për hapësirat publike mund të them se dinamikat kanë qenë shumë të mira. Plazhet publike do të jetë gati në 15 maj”, tha ndër të tjera Dredha./ KultPlus.com