24 Korrik, 2020 - 5:30 pm
Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar të premten lidhur me presionin ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, që po bëhet përmes padive e që për qëllim kanë heshtjen e tyre.
Sipas Von Cramonit këto raste janë kundër të drejtave themelore për raportim dhe për të folur ndaj problemeve dhe padrejtësive.
Ajo ka publikuar një shkrim të gjatë në faqen zyrtare për këtë temë.
Një lloj i caktuar i veprimeve juridike, të referuara shpesh si padi SLAPP (Procedimi Strategjik kundër Pjesëmarrjes Publike), paraqet një kërcënim të konsiderueshëm për debatin publik dhe lirinë e shprehjes. Kur njerëz ose kompani të fuqishme kërcënojnë gazetarët, aktivistët ose studiuesit me padi të shtrenjta për t’i heshtur ata, këto raste shkojnë kundër të drejtave themelore për të raportuar dhe folur kundër problemeve dhe padrejtësive.
Paditë “SLAPP” janë shumë të zakonshme në Bashkimin Evropian. Një grup i eurodeputetëve ka punuar për zgjidhje të këtij problemi.
Kohët e fundit ka pasur një numër të madh rasteve të tilla në Kosovë, kundër aktivistëve të mjedisit si dhe kundër gazetarëve.
“Ne po punojmë ngushtë me organizatat e lirisë së shtypit dhe Komisionin Evropian për masat anti-SLAPP. Nënkryetarja Vera Jourova ka njoftuar për ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të bërë të mundur përfundimin e atyre çështjeve juridike pa procedura të gjata dhe të shtrenjta”, ka thënë Von Cramon.
Aktivistja e mjedisit, Shpresa Loshaj po përballet me një proces gjyqësor “SLAPP” për shkak të aktivitetit të saj kundër hidrocentraleve në Luginën e Deçanit.
Në një rast të ngjashëm, aktivisti mjedisor Adriatik Gacaferi u padit nga e njëjta kompani “Kelkos Energy”. Arsyeja është se ai postoi një fotografi në rrjetin social “Facebook” dhe akuzoi kompaninë për gjoja vendosje të paligjshme të 100 për qind të ujit natyral brenda tubave.
Aksionet e tyre po ndodhin në një moment kur ka një aktivizim në rritje kundër keqpërdorimit të hidrocentraleve në Kosovë.
Ka pasur edhe një numër rastesh të tjera kur qëllimi i paditjes së gazetarëve ishte heshtja e tyre, dhe ne po monitorojmë nga afër këto raste. Kohët e fundit, gazetarja Jeta Xharra u padit për shkak të punës së saj hetimore të botuar në rrjetin ‘BIRN’ që zbuloi një kontratë të nënshkruar nga ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha me një kompani franceze për të promovuar shkëmbimin e territorit. Gazetarët hulumtues të ‘Kohës Ditore’, po përballen gjithashtu me disa padi ‘SLAPP’ pa bazë.
Von Cramon ka thënë se duhet të dilet kundër këtyre veprimeve.
Një zgjidhje afatgjatë duhet të jenë kushtet ligjore, të cilat ndëshkojnë ata që keqpërdorin dispozitat në lidhje me shpifjet. Përgjegjësia e atyre të cilët po sjellin këto raste është e qartë. Ata po dëmtojnë demokracinë, dhe jo ata që po flasin.
“Si Raportuese e Përhershëm për Kosovën në Parlamentin Evropian, është pjesë e punës sime të ndjek zhvillimin e procedurave demokratike dhe situatën e të drejtave themelore në Kosovë. Mund të premtoj që ata të cilët po përpiqen të mbyllin debatet demokratike, do të arrijnë vetëm të kundërtën e qëllimeve të tyre, pasi unë do t’i sjell tregimet në një publicitet më të gjerë evropian. Është interesi ynë i përgjithshëm që zëri i të gjithëve të dëgjohet”, ka shkruar Von Cramon.