18 Janar, 2024 - 11:24 am
Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker nuk ishte takuar shumë herë me presidentin e parë, Ibrahim Rugovën, aq sa me politikanët tjërë të Kosovës, por një fotografi që ia kishte dhuruar ai kur po kthehej në SHBA, e kujton edhe sot.
Rugova duke ia dhuruar Walkerit një vizatim ku shihet një plak. Ishte plaku që diplomatin amerikan e priste në çdo përvjetor të masakrës në Reçak, deri kur vdiq. Diplomati amerikan tregoi në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në T7 se atë fotografi sot e mban “në mes të dhomës së ndejës”.
“Kjo ishte në kohën kur po largohesha dhe ai ma dha këtë foto, të cilën e kam tani në dhomën time të ndejës në Maryland. Ndodhet mu në mes të dhomës së ndejës, dhe sa herë që vjen një shqiptar për të më vizituar, gjithmonë duan të marrin një foto të tillë. Ishte Dr. Ibrahim Rugova që ma dha dhuratën e lamtumirës dhe është fotografia e një burri të moshuar i pleqve të Reçakut, i cili, fatkeqësisht, ndërroi jetë disa vjet më parë. Dhe sa herë që shkoja në Reçak, prej vitit 2000 deri në vitin 2010, ky plak do të më përshëndeste, dhe për disa arsye Dr. Rugova e bëri atë foto dhe unë jam shumë krenar që e kam atë në dhomën time të ndejës”, tha Walker.
Ai tha se fillimisht raportet e tij me Rugovën ishin “shumë formale”, por pas çlirimit tha se “ishte më ndryshe”. Walker e përshkroi Rugovën si “shumë europian”.
“Kur e takova Dr. Rugovën, ai ishte president i Kosovës, i cili ishte zgjedhur në zgjedhje gjysmë zyrtare para luftës. Dhe kur e takova atëherë, isha shef i misionit të OSBE-së këtu dhe takimet tona ishin shumë formale. Mendoj se ai ishte një person mjaft formal, por nuk kam krijuar asnjë lloj miqësie me të, pra si diplomat në vend me një president. Pas çlirimit, e takova atë disa herë dhe ishte më ndryshe…ishte më miqësor dhe kjo foto është një shenjë se ai ishte shumë miqësor me mua dhe kishin një raport më të ngrohtë. Por, siç them, Dr. Rugova, sipas meje, ishte europian, shumë francez, shumë intelektual. Unë nuk jam asnjëri nga ta, bile kam pasur probleme me Francën përgjatë viteve. Por, kishim raporte të mira, dhe kjo foto ishte reflektim i asaj”, tha Walker. / KultPlus.com