12 Dhjetor, 2023 - 11:15 pm
Në një mbrëmje gala u shpallën sot fituesit e “Wanderlust in Albania”, Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove më të bukura promovuese për Shqipërinë Turistike.
Në këtë konkurs morën pjesë 687 konkurrentë nga 40 vende të botës, që nga Australia e largët, India, Japonia, Kina e kudo në Europë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi nismën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit e cila në një kohë rekord organizoi këtë konkurs ndërkombëtar.
“Vendosëm që konkursi të jetë ndërkombëtar dhe fotografët të jenë ata që e kanë përshkuar Shqipërinë nga të gjitha vendet e botës dhe të na tregonin atraksionet tona, të cilat shpesh nuk i kuptojmë se i kemi. Fotografitë janë të orientuara në tematika nga më të larmishmet, nga perëndimet e Adriatikut te tryezat e ushqimeve, elementët folkorikë dhe etnografë apo hartën e destinacioneve të ndryshme”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se nisma lindi si një nevojë që e diktoi një tjetër nismë e këtij viti, kalendari turistik i eventeve TEA, ku u regjistruan mbi 517 evente.
“Kalendari nuk do të jetë vetëm aq, por vitin që vjen duam ta kthejmë në sportel shërbimesh e informacionesh turistike. Në nëntor ne kishim 547 mijë turistë dhe kemi bindjen se edhe për vitin 2024 do të ruajmë të sigurt pozicionin tonë. Deri në fund të nëntorit në Shqipëri erdhën 9.54 milionë turistë. Ne po shkojmë në 365 ditë turizëm në çdo cep të vendit”, u shpreh ajo.
Kumbaro theksoi se turistët mbeten edhe ambasadorët më të mirë të Shqipërisë turistike.
Nga ana e saj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bëri të ditur se në konkurs u dorëzuan mbi 7 mijë fotografi.
Çela u shpreh se fituesit u shpallën në 11 kategori, ku për secilën kategori janë përzgjedhur dy fitues për fotografitë dhe një për video reels.
Fituesit e “Wanderlust in Albania”:
Peizazh: Fation Plaku, Bleron Caka, Aldo Tare
Agroturizëm dhe Kulinari: Aldo Mustafa, Anxhi Çeliku dhe Mirela Andoni
Arkitekturë: Ergys Temali, Elvis Vrioni dhe Adelina Marku
Monumente dhe Site Arkeologjike: Nikolay Shabarkov (Bullgari), Antonio Lombardi (Itali) Duli Kasmi
Folklor: Ardian Fezollari, Naxhie Elezi, Bjori Thana
Foto dhe video panoramike: Dajana Reci, Altin Serani dhe Beatrice Chan
Artizanat dhe Zejtari: Mikaela Lala, Carolyn Perry dhe Thomas Hadinger
Ekoturizëm: Bleron Caka, Anxhi Çeliku, Thomas Hadinger
Eventet e aplikacionit TEA: Idlir Abazaj, Ina Tepshi Nurjana Mullaj
Fotoreportazh: Albert Cmeta, Zeni Alla dhe Sara Zekaj
Turizëm Sportiv: Alket Islami, Aida Dhefto dhe Altin Serani./atsh/KultPlus.com