3 Korrik, 2021 - 10:05 am
Pandemia ka sjellë një gjë të mirë në Lagunën e Divjakë-Karavastasë në Shqipërinë Perëndimore, qetësinë për pelikanët dhe rritjen e numrit të tyre, shkruan gazeta e njohur amerikane “The Washington Post”.
Zyrtarët e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura thonë se numri i çifteve riprodhuese të pelikanëve është rritur me një të pestën në dy vitet e fundit, nga 68 në vitin 2019 në 85 në vitin 2020 dhe i njëjti numër edhe këtë vit.
Ata janë shpendë të mëdhenj, që arrijnë deri në dy metra gjatësi dhe më shumë se tre metra pas hapjes së krahëve.
Parku Kombëtar bregdetar Divjakë-Karavasta mbulon rreth 55 000 hektarë duke përfshirë një plazh të gjatë me rërë, një lagunë me ujë të kripur dhe ishuj të vegjël si edhe pyll me pisha. I ndodhur 90 kilometra në jugperëndim Tiranës, ai është shtëpia e rreth 260 specieve të zogjve.
“Por, më i njohuri është i ashtuquajturi “pelikani kaçurrel”, siç e quajnë vendasit gjigantin Pelikani Dalmat, që kanë këtu koloninë e tyre të vetme në Shqipëri dhe ku vijnë në dhjetor dhe ikin në qershor.
Pelikanët kanë qenë një specie e rrezikuar në Shqipëri, kur numri i tyre ra në 2001-2003 deri në 19 çifte, krahasuar me 250 një shekull më parë.
“Por, paqja dhe qetësia gjatë pandemisë na kanë ndihmuar shumë në ruajtjen e ishullit të pelikanëve”, thotë Adrian Koçi, kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Në 2014, Koçi dhe stafi i tij filluan të kujdeseshin për ishullin 150-200 metra katrore.
Njerëzit me varka u ndaluan të afroheshin më afër se 180 metra. Një rrjetë mbante larg anijet e peshkimit. Dhe një roje 24-orëshe u vendos për t’i mbrojtur ata. Gardhe të vogla prej druri përgjatë pjesëve të rrugëve ujore parandalojnë erozionin.
Koçi kontrollon rregullisht në ishull me një dron gjatë periudhës riprodhuese janar-qershor.
“Ne kemi liruar ishullin e peshkatarëve që shqetësonin pelikanët. Ne kemi ngritur foletë e tyre të kërcënuara nga batica, por peshkimi intensiv përreth ka zvogëluar numrin e peshqve që hanë pelikanët”, shton Koçi.
Koçi, me profesion veteriner, gjithashtu kujdeset për zogjtë e tjerë të plagosur që vijnë nga larg si Kosova fqinje dhe Mali i Zi. Disa vjet më parë, Programi i Zhvillimit i OKB e ndihmoi atë të krijontë qendrën e parë të rigjenerimit të shpendëve në Shqipëri.
Një shkabë e rrallë, e gjetur e plagosur dhe që vinte nga Mali i Zi, u trajtua për dy muaj atje dhe më pas u la e lirë të vazhdonte udhëtimin e saj drejt Afrikës.
Dy pelikanë dalmatë, të quajtur Xhoni dhe Vlashi, ndodhen aty prej tri vitesh. Xhoni nuk mund të fluturojë për shkak të një krahu të dëmtuar. Por Vlashi mundet, dhe të dy janë të relaksuar me vizitorët. Personeli i konsideron ata si pjesë të familjes së tyre dhe shpesh blejnë vetë peshk për t’i ushqyer.
Që nga financimi fillestar, kjo qendër ka pasur pak mbështetje financiare nga donatorët.
Sidoqoftë, numri i vizitorëve ka ardhur duke u rritur. Nga 1 300 në 2014, vizitorët u rritën në një 550 000 në 2019. Vitin e kaluar, ky numër u përgjysmua për shkak të pandemisë. Stafi thotë se në përgjithësi do të ishte më mirë të rifitoheshin vizitorët e humbur nga kufizimet e koronavirusit pasi donacionet e tyre janë shumë të nevojshme.
Klara Perinova, 28 vjeçe, u largua nga Praga për të kaluar dy javë në Shqipëri me të dashurin e saj. Ajo vlerëson “bukurinë e pazbuluar” të Divjakës.
“Ne jemi këtu sepse ka një natyrë shumë të bukur, specie vërtet të rrezikuara, jo të njëjtën natyrë që mund të shihni në pjesë të tjera të Shqipërisë”, thotë ajo.
Koçi po përpiqet shumë të ruajë të pashqetësuar mjedisin e lagunës duke u kërkuar autoriteteve lokale të zëvendësojnë motorët e pesë varkave me varka elektrike ose të instalojnë më shumë panele diellore.
Limya Eltayeb, përfaqësuesja rezidente e UNDP, tha se organizata e OKB-së po mbështet Shqipërinë në zbatimin e “zgjidhjeve të bazuara në natyrë” në Divjakë dhe gjetkë dhe duke ndihmuar qendrën, përtej financimit të vogël të shtetit dhe donacioneve private.
“Turistët janë mirëpritur këtu. Edhe Xhoni dhe Vlashi e duan këtë gjë”, thotë Ervin Allushi, një nga ekspertët e qendrës.
” Vizitorët shpesh ndihmojnë edhe financiarisht, megjithëse pelikanët atje në ishull nuk i duan pranë tyre”, thekson ai. / KultPlus.com