21 Prill, 2021 - 10:08 am
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shpreson të rifitojë zgjedhjet këtë fundjavë në mënyrë që ai të mund të punojë për ta shndërruar një nga vendet më të varfra të Europës në një kampione të turizmit, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.
Ndikimi negativ i pandemisë në ekonominë e Shqipërisë është një nga çështjet thelbësore në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat BE i ka vënë si kusht për të filluar negociatat e plota për të pranuar vendin e vogël ballkanik si një anëtar. Parregullsitë kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme në Shqipërinë postkomuniste.
Kryeministri Rama përmend një aeroport të ri ndërkombëtar që u hap të dielën, një marrëveshje ndërtimi e arritur sot për një aeroport tjetër në vijën bregdetare të vendit prej mbi 300 kilometrash dhe planifikon të kthejë portin e Durrësit në një destinacion vetëm për tragete, jahte dhe anije të tjera argëtimi si shenja premtuese.
“Ne jemi në rrugën e duhur për ta shndërruar këtë vend në kampionin e Ballkanit Perëndimor për turizmin”, tha Rama në një intervistë për ”The Associated Press”.
Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se Partia Socialiste e Ramës ka të ngjarë të zerë vendin e parë në zgjedhje.
Shqipëria tërhoqi më shumë se 6 milionë turistë në 2019, kur turizmi zinte rreth 9% të PBB-së. Shifrat paraprake të vitit 2020 nga Ministria e Turizmit tregojnë të paktën një rënie prej 40% të të ardhurave nga turizmi, që i atribuohet pandemisë. Një shtetrrethim me orar të caktuar, rregullat e distancës sociale dhe masa të tjera të kontrollit të virusit të urdhëruara nga qeveria kanë prekur kryesisht hotelet, restorantet dhe kafenetë.
Si pjesë e programit të vaksinimit masiv të vendit, qeveria u ka dhënë përparësi punonjësve të hotelit dhe restoranteve si dhe operatorëve të shtëpive private me qira përgjatë bregdetit ose në vendpushimet malore.
Pas ankesave të mëparshme për vonesa, Rama falënderoi ekzekutivin e Bashkimit Europian për dhurimin e 145 000 dozave të vaksinave për Shqipërinë.
Brukseli i hapi dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020 për fillimin e negociatave të anëtarësimit të plotë, por asnjë datë nuk është caktuar për takimin e parë.
”Bashkimi me BE mbetet qëllimi kryesor i Shqipërisë”, tha Rama.
“Procesi i integrimit… është një proces i kapërcimit të pengesave. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi atje dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Shqipëria pa një rënie prej 3,31% të PBB-së në 2020 për shkak të pandemisë dhe një tërmet fatal me magnitudë 6,4 ballë Rihter më 26 nëntor 2019 që shkaktoi dëme të konsiderueshme.
”Hapat e ardhshëm për vendin janë lënia pas e pandemisë dhe pasojat e tërmetit dhe ta ngjisim Shqipërinë më lart”, thotë kryeministri.
“Ne duam të jemi kampionë në turizëm. Ne duam të jemi kampionë në energjetikë. Dhe ne mund të jemi (me siguri) në agroturizëm”, shton Rama.
”Ne duhet të shkojmë më tej. Dhe këto janë qëllimet tona”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com