6 Qershor, 2020 - 2:30 pm
Një numër i madh i protestuesve pritet të mblidhen në Washington sot, ka thënë kreu i policisë së këtij qyteti, gjersa protestat anë e mbanë SHBA-së janë duke hyrë në ditën e 12-të.
Disa aktivistë nëpër platforma të mediave sociale kanë bërë thirrje që të mblidhen një milion njerëz për protesta në kryeqytet, raporton Reuters.
“Kemi shumë informata publike dhe nga burimet e hapura që tregojnë se ngjarja që do të ndodhë të shtunën mund të jetë më e madhja që kemi parë ndonjëherë në këtë qytet”, tha shefi i policisë së Washingtonit, Peter Newsham, për mediat lokale, duke shtuar se shumica e trafikut në qendër të qytetit do të mbyllet që nga fillimi i ditës.
Newsham nuk dha ndonjë vlerësim për numrin e protestuesve që pritet të dalin në rrugë. Mediat lokale parashohin me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, transmeton KOHA.
Guvernatori i Karolinës së Veriut ka urdhëruar që të gjithë flamujt nëpër ndërtesat publike të vendosen në gjysmë shtizë nga agimi e deri në muzg të shtunën për nder të George Floydit, i cili kishte lindur në qytetin Fayetteville të këtij shteti.
Të premten u mbajtën tubime dhe demonstrata në qytetet Atlanta, Los Angeles, Minneapolis, Miami, New York and Denver dhe vende tjera, dhe protestuesit sërish u tubuan përpara Shtëpisë së Bardhë edhe pse po binte shi. Protestat gjatë natës ishin kryesisht paqësore por tensioni është i lartë edhe pse autoritetet në disa shtete janë duke marrë masa për të reformuar procedurat e policisë.