29 Dhjetor, 2022 - 10:55 am
Drerët dhe pinguinët perandorë janë ndër speciet e përzgjedhura nga organizata e njohur mjedisore WWF për të ilustruar kërcënimet me të cilat përballen mijëra kafshë në mbarë botën.
”Mijëra specie po luftojnë me një rënie të popullsisë dhe një numër në rritje të kërcënimeve”, tha WWF-ja në përmbledhjen e saj vjetore, të publikuar sot.
“Lista e Kuqe Ndërkombëtare tani rendit më shumë se 42 100 lloje kafshësh dhe bimësh si të kërcënuara”, tha organizata, duke iu referuar Listës së Kuqe të Llojeve të Kërcënuara të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.
”Në vitin 2000, popullsia më e madhe në botë e drerëve të egër në rajonin Taimyr në arktikun rus përbëhej nga një milion kafshë. Sot, vetëm një e katërta e tyre kanë mbetur”, sipas WWF, duke përmendur ndryshimet klimatike dhe gjuetinë pa leje si arsyet kryesore të rënies.
Organizata theksoi gjithashtu gjendjen e vështirë të pinguinëve perandorë duke thënë se asgjë nuk ishte bërë këtë vit për të mbrojtur më mirë këto specie.
“Në nivelet aktuale të emetimit të gazit serrë, midis 80 dhe 100% e të gjitha kolonive të njohura të pinguinëve perandorë janë në rrezik të zhdukjes deri në vitin 2100″, tha WWF.
”Ndërkohë ngordhjet masive të peshqve të kësaj vere në lumin Oder, i cili kalon midis Gjermanisë dhe Polonisë, ishte gjithashtu një pengesë për rifutjen e blirit baltik, pasi mijëra peshq të rinj ngordhën”, tha WWF.
WWF gjithashtu theksoi shembuj pozitivë të ruajtjes së specieve, duke përfshirë popullatën e tigrave në Nepal, e cila po rikuperohej mirë, si dhe balenat me gunga në Australi.
Kafshët ishin hequr nga lista e specieve të rrezikuara për shkak të një rritje të konsiderueshme të popullsisë.
”Sidoqoftë, nevojiten më shumë masa për të mbrojtur balenat nga kërcënimet e tilla si peshkimi, trafiku i anijeve dhe ndotja”, tha organizata./ atsh / KultPlus.com