20 Dhjetor, 2024 - 11:00 am
Bayer Leverkuseni i është kthyer garës për titull. Kjo falë Granit Xhakës. Organizatori i lojës po shkëlqen sërish, sepse trajneri Xabi Alonso e ka gjetur një qasje të re taktike dhe ideale për lojën e futbollistit të Zvicrës.
Pas fazës së parë të edicionit që është karakterizuar me disa ngecje të vogla por me ndikim, Bayer Leverkuseni e ka gjetur formën e mirë në muajin nëntor. Fitoi të gjitha shtatë ndeshjet e fundit. Leverkuseni fitoi edhe ndaj skuadrave shumë të forta, 1:0 ndaj Bayern Munichut në Kupën e Gjermanisë dhe 1:0 në Ligën e Kampionëve ndaj Interit. Xabi Alonso ka gjetur mënyrë të re të lojës, që është dyfish e suksesshme.
Qasja e lojës me më shumë durim, por jo me më pak agresivitet në sulm e në mbrojtje, ka bërë që Leverkuseni të shfaqë kualitet ndryshe. Leverkuseni nuk dëshiron që të ngutet e të bëjë lojë dominuese. Por, po bën më shumë kundërsulme dhe në pjesën më të madhe të lojës po luan prapa, qëllimisht. Granit Xhaka, Florian Wirtz e të tjerët po e presin momentin e duhur për ta shfaqur fuqinë që posedojnë.
Dobësitë që i ka shfaqur Leverkuseni në mbrojtje në fazën e parë të sezonit, për shembull në humbjen 3:2 nga Leipzigu dhe në fitoren 4:3 ndaj Wolfsburgut, i takojnë të kaluarës.
Kjo është mirë për kampionin sepse përmirësimi në aspektin defensiv e ndihmon edhe “shefin” në fushë, Granit Xhakën, për ta përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme rolin e mesfushorit defensiv, me efikasitetin më të lartë.
Kapiteni i Zvicrës ishte në formë të përkryer në shtatë fitoret e arritura, pasi ai mund t’i përdorë aftësitë strategjike të jashtëzakonshme kur ndeshja nuk del jashtë kontrollit, kur repartet nuk janë shumë larg njëra-tjetrës dhe kur aspekti taktik nuk lejon vrapime të gjata. Sepse është shumë e vështirë të ndiqen kundërshtarët në hapësira të mëdha kur humbet topi.
Xhaka nuk njihet si vrapues i shpejtë. Ai është dalluar te Leverkuseni për shkak të kontrollit të lojës, siç e kishte përdorur trurin në qendër të mesfushës kundër Interit, ndërsa kishte rol edhe në golin e epërsisë 1:0 në fitoren 2:0 ndaj Augsburgut me pasimin për Jeremie Frimpongun. Në të dyja ndeshjet Xhaka ishte emëruar lojtar i ndeshjes.
Vetëm Kimmich ka luajtur më shumë në pozitën e numrit gjashtë
Xhaka, i cili nuk dukej mendërisht i freskët në fazën e parë të edicionit aktual pas sezonit të ngarkuar që u vazhdua me Kampionatin Evropian. Ai kishte edhe lëndime. Por, tani është “shefi” i fushës. Është ai që e vendos ritmin e lojës kur Leverkuseni e ka topin, falë inteligjencës dhe aftësive që posedon.
Trajneri Alonso gjithmonë llogarit në Xhakën, i cili ka zhvilluar 24 ndeshje në të gjitha garat për Leverkusenin.
Me 1,994 minuta lojë, është i katërti në këtë statistikë në Bundesligë.
Vetëm bashkëlojtarët e tij, Jonathan Tah me 2,120 minuta dhe Edmond Tapsoba me 2,083 minuta, të cilët luajnë si mbrojtës dhe nuk u kërkohet të vrapojnë aq sa vrapon numri gjashtë, si dhe mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich me 2,070 minuta, kanë luajtur më shumë.
Te skuadra e Leverkusenit, në pozitën e numrit gjashtë ka edhe disa lojtarë tjerë dhe konkurrenca është e madhe.
Kampioni i Botës me Argjentinën, Exequiel Palacios, që u lëndua në fillim të edicionit, Robert Andrich i Gjermanisë dhe spanjoll Aleix Garcia, garojnë për pozitat në qendër të mesfushës vazhdimisht.
Por është Xhaka që vlerësohet si dora e zgjatur e trajnerit Xabi Alonso.
Minutat të cilat nuk i ka zhvilluar Xhaka, tregojnë qartë se sa i rëndësishëm është ai për trajnerin e tij.
Alonso e ka zëvendësuar Xhakën dy herë, kur rezultati ishte 3:0 në Kupë në fitoren ndaj Elversbergut, dhe në fitoren në Rotterdam ndaj Feyenoordit 4:0 në Ligën e Kampionëve.
Kur Xhaka nuk startoi, Leverkuseni ngeci
Xhaka duket i domosdoshëm për Xabi Alonson. Spanjolli nuk e kishte futur dy herë në formacionin titullar dhe loja e Leverkusenit nuk dha fryte, në dy raste. Në fitoren 1:0 në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë kundër Jenas së kategorisë së katërt të futbollit gjerman, Xabi Alonso e futi numrin 34 në pjesën e dytë për ta stabilizuar lojën e Leverkusenit, njësoj siç kishte bërë në barazimin 1:1 në Ligën e Kampionëve ndaj Brestit.
Nga pikëpamja e trajnerit, gjërat nuk funksionojnë mirë pa njeriun që i jep shpirt ekipit. Dhe me të në fushë, gjërat po shkojnë shumë mirë për Leverkusenin, pasi korrigjimet e spanjollit kanë krijuar kushtet që Xhaka të shfaqë më shumë aftësi sesa dobësi./ KultPlus.com