Xhoni Athanasi, Skënderbeu i parë i operas shqiptare

4 Nëntor, 2020 - 4:46 pm

Xhoni Athanas ishte një nga zërat e rrallë të lirikës shqiptare, një artist i kompletuar që do të kishte fatin dhe përgjegjësinë të ngjiste për herë ta parë personazhet klasikë të operave ndërkombëtare dhe heronjtë e veprave shqiptare. Me një repertor të gjerë të shtrirë në mbarë botën, që nga koha e studimeve në Rusi, e deri në daljen në pension në vendlindjen e tij në Amerikë ai ka realizuar më shumë se  1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike.

Ndonëse mjeshtëria e tij artistike ishte nga më të arrirat e kohës, ( studio me Sergei Baturin solistin e parë në Teatrin Balshoi, në Rusi) me interpretime të denja për tu krahasuar me kolosët e lirikës botërore, Athanasi përjtësoi emrin e tij në historinë e arit shqiptare me interpretimin e Gjergj Kastriot Skëndërbeut, në opërën me të njëjtin titull të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Kompozitori Jakova, i cili e vlerësonte Xhonin si tenor dramatik, e shkroi operën “Skënderbeu” posaçërisht që roli i Gjergj Kastriotit t’i përshtatej zërit, tesiturës dhe figurës së artistit.

Historia e jetës së tij është një histori të denjë për skenarët e Hollywood-it. U lind nw Brokton, Massachusetts, me 4 nëntor 1925. Prindërit e tij emigruan në Amerikë rreth viteve 1915. Si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ata punuan disa vjet rresht në shtetin Massachusset (ku edhe jetuan) duke u munduar të përmirësonin gjendjen e tyre ekonomike. Xhoni ishte në moshë fare të vogël kur familja e tyre u kthye sërish në Shqipëri për disa arsye familjare, me mendimin për të ardhur përsëri në Amerikë në rastin më të parë. Por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me vendosjen e komunizmit, u bë i pamundur kthimi i tyre në Amerikë. Xhoni që në moshë të vogël filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks).

Pjesëmarrja në këndimin e psalmeve të kishës e ushqeu Xhonin që në atë moshë me pasionin për muzikën dhe këngën dhe shërbeu si një bazë për edukimin vokal të tij. Jo vetëm në kishë, por edhe në shkollën fillore-tetëvjeçare Xhoni merrte pjesë në grupet vokale të shkollës. Ndër kujtimet e tij të fëmijërisë është i rëndësishëm një rast kur ai dhe motra e tij, Katerina, kënduan një duet në një takim të shkollave të rrethit të Bilishtit më 1933, me pjesëmarrje të personaliteteve lokale. E kënduar ëmbëlsisht prej tyre, “Kënga e Mullirit”, e kompozuar nga Thoma Nasi, banues në Boston në atë kohë, i dha Xhonit dhe së motrës një vlerësim simbolik me disa dhurata. Në vazhdim të jetës së tij Xhoni, gjithmonë i apasionuar pas muzikës dhe këngës, shpesh herë merrte pjesë në festa të ndryshme duke kënduar këngë popullore korçare si “Te plepi i Bilishtit”, “Tatëpjetë bregut vinje”, “Ftujke moj”, “O moj korçare”, së bashku me orkestrat e rrethit, aq sa i ati i thoshte me shaka: “Do të të bëj sazexhi”.

Më 1940 Xhoni pati rastin të takonte profesor Konden, një nga personalitetet artistike më të nderuar të asaj kohe në qytetin e Korçës, i diplomuar në Athinë. Profesor Konda e vlerësoi shumë zërin e tij dhe i rekomandoi të fillonte menjëherë mësime profesionale muzikore. Kështu Xhoni filloi mësimet e para të muzikës me pr. Konden, i cili më tej e pranoi si solist në korin e Kishës së Mitropolisë, që profesori e drejtonte. Edukata muzikore që mori nga Konda, i shërbeu Xhonit për t’u pranuar si solist në grupin koral “Lira” të qytetit të Korçës me drejtues Kristo Konon. Xhoni tashmë ishte bërë i njohur si solist i qytetit të Korçës. Deri në vitin 1947 Xhoni vazhdoi një jetë artistike koncertale në gjithë rrethin e Korçës me grupin “Lira”, dhe gjithashtu ai aktivizohej me të gjitha grupet artistike që ishin në atë kohë në këtë qytet. Xhonin do ta shikoje afër këngëtarëve Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Gaqi Konomi.

Do ta shikoje duke mësuar bashkë me Dhora Lekën këngët e saj partizane. Në vitin 1947, me kërkesën e Gaqo Avrazit, në atë kohë dirigjent dhe udhëheqës artistik i korit të Ushtrisë Popullore, Xhoni bëhet pjestar i këtij ansambli duke u radhitur si solist bashkë me Ibrahim Tukiqin, Mentor Xhemalin, Avni Mulën, Ndrek Gjergjin, Lluk Kacajn, Maliq Herrin etj. Në atë kohë Ansambli i Ushtrisë ishte më i kualifikuari dhe gjatë viteve 1947-1952 kishte një aktivitet artistik shumë të pasur. Një sukses i madh i ansamblit ishte turneu që bëri në Rusi (BS) në vitin 1949, gjatë së cilës ai u vlerësua shumë nga media dhe publiku rus. Xhoni ka kënduar me ansamblin si solist në të gjitha rrethet e vendit dhe me shumë sukses, në reparte ushtarake, në kufi, fshatra e qytete, në tribuna me raste festash etj. Në vitin 1952, Xhoni, me propozimin e Komandës së Ushtrisë dhe Ministrisë së Kulturës, së bashku me kolegët dhe shokët e tij solistë të Ansamblit artistik të Ushtrisë, u nisën për studime në Konservatorin e Moskës, BS. Artistët e ardhur nga Shqipëria e vogël u vlerësuan shumë nga trupa pedagogjike e Konservatorit “Çajkovski”.

Secili nga pedagogët më në zë të Degës së kantos (këngës) donte me çdo kusht të kishte në klasën e vet njërin prej këtyre këngëtarëve shqiptarë. Xhoni filloi mësimin e teknikës vokale me një nga pedagogët e vjetër në Konservator dhe solist i parë në Teatrin Balshoi, Sergei Baturin. Gjatë këtyre viteve, Xhoni, krahas studimeve në shkollë, ka pasur edhe një aktivitet artistik koncertal shumë të madh. Ai me shokët e tij kanë paraqitur me dinjitet artistik për publikun artdashës rus muzikën shqiptare dhe botërore. Kaq e njohur u bë muzika shqiptare, sa edhe sot kur takon njerëz të moshave të vjetra të asaj kohe (rusë), kujtojnë me nostalgji këngët: “Hajde moj”, “Lule bore”, “Vajta në Elbasan” etj. Në mbarim të studimeve të konservatorit, në vitin 1957 Xhoni mori pjesë si konkurues në Festivalin Botëror të zërave të rinj që organizohej ne atë kohë në Moskë.

https://www.facebook.com/130364956028/videos/800384734041205

Aty përfaqësoheshin 110 këngëtarë nga e gjithë bota. Zëri i Xhonit, me nje teknikë të kulluar dhe vokal skenik tërhoqi vëmendjen e gjithë konkuruesve. Xhoni Athanasi u vlerësua me çmim të dytë ndërkombëtar në atë festival dhe u quajt “Laureat” me Çmim të Lartë të festivalit. Ky ishte një stimul i shkëlqyer për fillimin e karrierës së tij, por gjithashtu një kujtim i paharruar, sepse Çertifikata e Diplomës ishte firmosur nga këngëtari i mirënjohur italian Tito Skipa, që ishte dhe kryetar i jurisë së festivalit. Në vitin 1957, pas studimeve, Xhoni u emërua si solist i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ishte një sukses i madh për artin operistik ardhja e këngëtarëve të rinj që u diplomuan në Moskë.

Krahas këngëtarëve të vjetër si Marije Kraja, Jorgjia Truja, Gj. Kosturi, K. Antoniu, H. Pelingu, tani u shtuan edhe M. Xhemali, A. Mula, I. Tukiqi, M. Herri, L. Kacaj, N. Mula, Xh. Athanasi, G. Cako, Gj. Heba, G. Zdruli etj. Teatri i Operës në vitet ’58-‘65 kishte në repertorin e tij 25 shfaqje artistike nga veprat më të vështira klasike të kompozitorëve Verdi, Puçini, Çajkovski, Leon Kavallo, Maskanji, Glinka, Bize, Masnet, një jetë shumë të pasur koncertale në të cilat Xhoni Athanasi ishte pjesëmarrës. Rolet në të cilat ai u shqua gjatë këtyre viteve kanë qenë:

Turidu tek “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit

Kanjo tek “Pagliaci” i Leonkavallos

Lenski tek “Eugjen Ognegin”

Shonari tek “Bohema” e Puçinit

Don Bazilio tek “Dasma e Figaros” e Moxartit

Dhimitri tek “Lulja e kujtimit” e K.Konos

Bash Murgjini tek “Borana” e A. Mulës

Kuestori tek “Heroina” e V. Noves, Doda tek “Mrika” etj.

Gjatë viteve që punoi si solist në Teatrin e Operës ai ka përfaqësuar disa herë Shqipërinë në aktivitete koncertale jashtë vendit si në Rumani, BS, Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari etj. Kudo që ka shkuar, është vlerësuar nga spektatori dhe media si një këngëtar me zë të fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin. Midis të tjerash gazeta “Kultura” e Moskës, më 1959 shkruante: “Me një këngëtar të tillë si Xhon Athanasi mund të mburret çdo teatër në botë”. Pedagogu i konservatorit të Bullgarisë Brymorov e ka vlerësuar zërin e Xhonit si “zë i rrallë botëror”. Todi dal Monte, këngëtarja italiane, pasi e dëgjoi në një studio, tha: “zëri i Xhonit është një zë i rrallë tenori dramatik”.

Nuk ka qytet apo fshat, fabrikë apo shesh ku Xhoni bashkë me kolegët e tij të mos ketë dhënë shfaqje operistike dhe koncerte të ndryshme për masat e gjera artdashëse. Nga ditari i tij personal i shkruar gjatë vitit 1957-1993, mund të radhisim 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike (pa numëruar këtu koncertet para studimeve). Por ai që i dha vlerat e artistit kombëtar shqiptar ishte roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Kompozitori Jakova, i cili e vlerësonte Xhonin si tenor dramatik, e shkroi operën “Skënderbeu” posaçërisht që roli i Gjergj Kastriotit t’i përshtatej zërit, tesiturës dhe figurës së artistit tonë. Ky ishte një vlerësim shumë i lartë dhe Xhonit i duhej të kryente një detyrë shumë të madhe për të realizuar figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Xhoni tregon: “M’u desh të mendoja ditë e natë se si do të mund të realizoja këtë rol kaq të dashur dhe të imagjinuar nga publiku ynë artdashës…” Por me ndihmën e regjisorit të mirënjohur Pirro Mani, i cili vuri në skenë operën, së bashku krijuan një spektakël madhështor që u mirëprit nga spektatori. Opera “Skënderbeu” e ngriti Xhonin në piedestalin e arritjeve të tij artistike. Ai jo vetëm e interpretoi rolin e Gjergj Kastriotit, në mënyrë të shkëlqyer nga ana teknike vokale, por krijoi një figurë të Skënderbeut të studiuar aq mirë prej tij, sa, kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një Skënderbej i vërtetë, si një hero madhështor kombëtar. Madje fotografitë e marra nga shfaqja janë përdorur edhe si ilustrime historike.

Në vitin 1973, pa u shkëputur asnjëherë nga aktiviteti i tij si këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos. rezultatet e punës së tij si pedagog u dukën që në vitet e para, kur një brez i tërë këngëtarësh të rinj mbaruan me rezultate shumë të mira. Nga studioja e Xhonit debutuan si solistë në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe u bënë të njohur edhe jashtë atdheut këngëtarët: Agim Duro, Ruzhdi Karaj, Suzana Frashëri, Nikolin Gurakuqi, Irini Nikolla, Kaman Aliko, Luan Sula si dhe shumë të tjerë. Krahas punës si këngëtar dhe pedagog, Xhoni e ka afirmuar veten si artist në kompleksitetin e plotë të një muzikanti të gjithanshëm, p.sh., si regjisor ai ka vënë në skenën e Teatrit të Operes disa fragmente nga veprat operistike “Norma”, “Rigoleto”, “Toska”, “Madama Batërflaj”, “Karmen”, të cilat u pritën shumë ngrohtë nga spektatori edhe për arsyen tjetër, sepse u vunë në skenë menjëherë pasi fitoi demokracia në Shqipëri, mbas një periudhe të gjatë kohe që në TOB, që nga 1967-1990, ishin çensuruar veprat e autorëve të huaj.

Njëkohësisht ai ka bërë edhe disa kompozime, sidomos për fëmijë. Ka punuar për krijimin e një albumi shkollor, me vepra operistike shqiptare, për t’u përdorur në Akademinë e Arteve si material studimi, duke parë me imtësi çdo frazë muzikore, për t’iu përshtatur sa më mirë studentëve në programin mësimor. Dy nga studimet e tij me rëndësi janë edhe “Të kënduarit si mjet shprehës dhe komunikimi” dhe “Teknika e frymëmarrjes së këngëtarit.” Ka përgatitur një album me përmbledhje këngësh popullore të rretheve të ndryshme të Shqipërisë. Ka marrë pjesë në përgatitjen e festivaleve të ndryshme artistike-vokale të këngëtarëve lirikë të Gjirokastrës dhe të fëmijëve, ku shpeshherë ka qenë edhe kryetari i jurive. Për merita artistike shumëvjeçare Xhonit i është dhënë nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë titulli i lartë “Artist i Merituar”. Emri i Xhonit është i shkruar në Enciklopedinë Botërore të Artit, një vlerësim i rrallë ky që i bëhet një artisti.

Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston. Ardhjen në Amerikë ai e kishte ëndërruar prej kohësh dhe ëndrra u bë realitet ndoshta me shumë vonesë. Megjithatë, edhe këtu, megjithëse në moshë të thyer, ai e tregoi veten dhe vërtetoi se një artist i apasionuar, edhe me kalimin e viteve, gjithmonë e dashuron skenën dhe asnjëherë nuk e braktis atë. Kështu, Xhoni vazhdon aktivitetin e tij për komunitetin shqiptaro-amerikan në raste festash dhe pritjesh zyrtare, duke dhënë shumë koncerte në Boston dhe në qytete të tjera përreth. Ai është mirëpritur dhe vlerësuar nga spektatori i këtushëm si një këngëtar i nivelit të lartë. Me zërin e tij Xhoni ka marrë pjesë në të gjitha festat shqiptare dhe takimet me personalitete zyrtare të Shqipërisë që kanë vizituar Bostonin. Zëri i Xhonit ka tingëlluar shumë herë në sallat e restorantit “Pier 4” dhe pronari i tij, Anton Athanasi, ka thënë: ”Në këto sallat e mia kanë kënduar shumë këngëtarë të mëdhenj, por Xhoni është më i miri nga të gjithë.” Me zërin e tij të mrekullueshëm e të pakrahasueshem, Xhoni mbush sallën ku komuniteti shqiptar zhvillon festën e përvitshme të 28 Nentorit. Himni i Flamurit shqiptar dëgjohet çdo nëntor në Boston nëpërmjet zërit të Xhonit.

Xhoni Athanas vazhdon të japë koncerte në komunitetin rus dhe ate Italian, por gjithmonë prezantohet si këngëtar shqiptar. Si një artist lirik i kompletuar, me një vokal elegant skenik Xhoni Athanas ka tërhequr vëmendjen e artdashësve amerikane, të cilët e kanë duartrokitur në çdo koncert ku kanë qenë të pranishem. Ndër koncertet më të rëndësishme përmendim atë me temë Kosovare, në vitin 1999, i cili u shfaq në një nga sallat më të njohura e më antike të Massachusettsit në Kembrixh, “Sanders Theater”. Koncerti u përgatit nga regjisorja italiane Luiza Marino, me trupën e këngëtareve të ardhur nga Italia. Xhoni përgatiti dhe mori pjesë me një vepër vokale, me tekst për Kosovën dhe i kushtohej vuajtjeve të vajzave kosovare gjatë luftës. Zëri i Xhonit me një tingëllim emocional dhe veshja e tij me kostumin e Malësisë së Madhe e kompletuan veprën vokale, e cila u mirëprit dhe u vlerësua nga spektatori si pjesa më e mirë dhe më aktuale për atë koncert.

Xhoni ka dhënë gjithashtu një numër koncertesh të tjera në shtetin e Massachusettsit dhe jashtë tij, në Nju-Jork, Nju-Xhersi etj. Në çdo aktivitet, bashkë me argëtimin e pjesëmarrësve, Xhoni, me mjeshtërinë e të kënduarit e të interpretuarit emocionalisht, ka sjellë edhe krenari kombëtare. Me 1998 ai mori pjesë në një koncert me vepra klasike në Nju-Jork, organizuar nga “Motrat Qiriazi”. Koncerti, ku merrnin pjesë këngëtarë shqiptarë e kosovarë, u organizua për të ndihmuar financiarisht fëmijët kosovarë. Ky ishte një takim shumë i rëndësishëm sepse kontribuoi në njohjen dhe miqësinë midis artistëve shqiptarë e kosovarë.

Një aktivitet tjetër muzikor i Xhonit në Massachusetts është dhe ushtrimi i profesionit të pedagogut. I njohur në komunitet se “Profesor Xhoni” ai vazhdon akoma të japë mësime kantoje për studentë shqiptarë, rusë etj, duke organizuar shpesh koncerte me ta. Në vitin 1999 Xhoni organizoi korin e parë të fëmijëve ne Boston, kryesisht me femijët emigrantë kosovarë, të ardhur në Amerikë si refugjatë nga lufta. Kori i fëmijëve mori pjesë në festimin e 28 Nëntorit të atij viti dhe së bashku me Xhonin interpretoi himnin shqiptar dhe atë amerikan, të pritur me brohoritje nga të pranishmit. Gjithashtu më 2001 Xhoni ka përgatitur një kor special të fëmijëve me psalmet e imzot Fan Nolit për festat e mëdha të kishës, gjatë pashkëve dhe krishtlindjeve. Ky kor ka kënduar në të tria kishat ortodokse shqiptare që ndodhen në South Boston.

Xhoni Athanas si gjithnjë është i rrethuar nga dashuria e kujdesi i të afërmve dhe familjes së tij. Për komunitetin shqiptaro-amerikan të Massachusettsit do të mbetet e paharruar mbrëmja e ngrohtë e organizuar në “Pier 4”, Boston, në vitin 2001, për festimin e 75-vjetorit të lindjes së artistit tonë të dashur. Ishte një mbrëmje domethënëse, e merituar dhe e dëshiruar. Pranë Xhonit, si gjithmonë, e bukur, besnike e zemërdhembshur qëndronte bashkëshortja, Sekinja, artiste edhe ajo, një nga balerinat e mirënjohura shqiptare. Më kujtohet, 50 vjet të shkuara në Tiranë, kur ky çift i mrekullueshëm shpalli fejesën. Ardhur që të dy nga besime të ndryshme fetare, ajo, e bija e klerikut musliman, drejtorit të Medresesë dhe ai, i biri i priftit korçar.

Por dashuria e tyre që u kthye në mit, shkeli mitin e fanatizmit dhe të zakoneve të prapambetura. Çifti Athanas ose çifti i emancipimit, u bë idhull dhe shembull për shumë fejesa të tjera midis të rinjve me besime fetare jo të njëjta. Xhoni ka ditur të vlerësojë e të nderojë familjen e të çmojë shoqërinë. Gjatë jetës së tyre bashkëshortore motoja e tij ka qenë devotshmëria dhe sakrifica për artin. Pa u lodhur kurrë, gati të rrezikojë edhe shëndetin, për të çuar deri në fund punën dhe premtimin e dhënë. Kurrë egoist, jo vetëm në jetë, por as në art, ku në disa raste, ky egoizëm është i nevojshëm. “Çdo shfaqje e koncert, – tregon Sekinja, – ka qenë me emocione të forta jo vetëm për Xhonin, por edhe për të gjithë pjesëtarët e familjes.

Xhoni thotë: “Kur unë kam emocion, këndoj më mirë”. Xhoni – artist, koleg, pedagog, bashkëshort ideal, baba shembullor dhe gjysh i dhembshur. Vajza e dyteë, Edlira, e përshëndeste të jatin me rastin e 75-vjetorit: “I dashur babi!, kur hyj qetas në shtëpi dhe të gjej ulur në piano, duart e tua në tastierë i bien një melodie të njohur dhe sytë e tu e fiksojnë për një çast notën “do” dhe “do diez” sikur aty të kesh gjetur një rrugicë të vogël kalimi ku më pas të nxjerr në një qiell të pastër e të mbushur me kujtime. Gjej zërin tënd të formohet, t’i përshtatet përpikmërisht idealit që Verdi apo Puçini kishin patur kur hidhnin notat në pentagram.

Të gjej në ato çaste kur më krihje flokët me dy bishtaleca, kur, pa përtuar, me çoje përditë me biçikletë në shkollë… Të gjej gjysh…, të gjej në agoninë e operacionit by pass në zemër… Si do të ishte, vallë, jeta jote që ti kishe ëndërruar me stil perëndimor? Ndoshta do të kishe famën e Pavarotit, ndoshta dhe peshën e tij, por unë nuk do të te ndërroja kurrë me njeriun, shqiptarin e njohur Xhoni Athanas…Vajza e madhe, Mirela, i kushton të atit vargje: “/ Babi im i mirë…/ Me duket sikur zërin tënd të bukur,/ E kam dëgjuar e para unë/ Me nina-nanat e ëmbla/ Kur më vije në gjumë./ Ndërsa mbesa, Xhulia, i dhuron gjyshit tingujt e pianos luajtur nga duart e saj të vogla.

Ishte mesditë e bukur e 23 nëntorit 2004 kur në sheshin para Bashkisë së Bostonit ishin mbledhur qindra shqiptarë, burra, gra, fëmijë, djem të rinj, vajza, disa me kostume kombëtare. Gjithsecili e quante privilegj të madh të ndodhej në këtë manifestim të ngrohte festiv, gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit shqiptar në Boston, për herë të parë në histori. “Mos harroni flamurin!” pat thënë dikur Faik Konica — flamurin, simbolin e qëndresës, simbolin e bashkimit, simbolin e ardhmërisë.

Ishte mallëngjyes çasti kur këngëtari ynë i mirënjohur Xhoni Athanas i këndoi e i ndjeu thellë këto “simbole” gjatë interpretimit të himnit të flamurit shqiptar. “…Kur fillova të kendoja vargun e parë, “Rreth flamurit të përbashkuar”, – tha me një zë prekës artisti Athanas,- m’u duk sikur këndoja për herë të parë në jetën time. Kam kënduar në opera e në qindra koncerte brenda e jashtë atdheut, kam dhënë shfaqje në komunitetin e Bostonit e rrethinat për vite me radhë, por emocionin e ditës së sotme nuk e kam ndier kurrë! Të këndosh në sheshin më të rëndësishëm të Bostonit, ndërsa flamuri ynë kombëtar nderohet nga flamuri amerikan, është një tejndjeshmëri për cilindo, është një nder për mua si artist.”- tha ai i entuziazmuar.

Koncerti i paharruar që ka marrë pjesë Xhoni është ai i qershorit 2005, titulluar “Buqetë këngësh dhe vallesh shqiptare” me pjesëmarrjen edhe të grupit të valleve “Bashkimi” të Bostonit, përgatitur nga mjeshtëri i valles, Bashkim Braho. Koncertin e Massachusettsit e nderoi me pjesëmarrjen e saj edhe këngëtarja e mirënjohur e komunitetit shqiptaro-amerikan, Merita Halili. Koncerti u dëgjua nga më shumë se 500 spektatorë e u vlerësua si një sukses i arritjeve të artistëve shqiptarë në Boston. Mbresa të veçanta në këtë koncert la kënga “Lulebore”, e cila u këndua nga Xhoni dhe Merita dhe u shoqërua me duartrokitje të gjata.

E cilësuar si “Kënga e shekullit” Xhoni Athanas ruan kujtimet më të bukura për këtë këngë shkodrane. “Më kujtohet, – thotë ai,- kur kam ardhur në Tiranë në vitin 1948, dhe kënga e kompozitorit Simon Gjoni, “Lulebore” sapo kishte mbërritur nga Shkodra. Pa dyshim, kënga “Lulebore” u bë menjëherë shumë e dashur për spektatorin shqiptar, – vazhdon Xhoni. – Ne, solistët e Ansamblit të Ushtrisë e këndonim në çdo koncert tonin, në rrethet e ndryshme të Shqipërisë. Kjo këngë i kaloi edhe kufijtë e atdheut. “Lulebore” u këndua në festivalin e Berlinit me 1949-1950 nga A. Mula dhe në festivalin e Bukureshtit më 1953, nga Tukiçi-Mula. Por kënga “Lulebore” është bërë e njohur më shumë në Rusi. Gjatë viteve studentore, 1952-1957, ne, grupi i “Lulebores”, Mula-Tukiçi, Xhemali-Athanas, etj. e kemi kënduar me dhjetëra herë, në koncerte të ndryshme në sallat më të rëndësishme në Moskë, S. Petërsburg, Kiev, Odesa, Minsk, etj. Shpesh herë, kur ne këngëtarët e “Lulebores”, shëtisnim në një nga rrugët kryesore të Moskës me emrin “Gorki”, shumë qytetar dhe sidomos vajzat, na përshëndesnin, duke na thërritur, “Podsnjezhnik”,- përfundon Xhoni.

Sot, në ceremoninë e dorëzimit të Medaljes së Mirënjohjes dhe festimit të 80-vjetorit të lindjes, do të dëshironim t’i dhuronim artistit tonë të dashur një buqetë me lulebore shqiptare me urimin: “Rrjedhtë e mos pushoftë kurrë kënga jote, Xhoni!”

“Medalja se Mirenjohjes”

Presidenti  i Republikës e dekoroi “Artistin e Merituar” shqiptar Xhoni Athanas më 12 dhjetor 2005, me motivacionin: “Për karrierë të gjatë artistike në skenën e Teatrit të Operas e të Baletit, për prezantimin me dinjitet të muzikës shqiptare brenda e jashtë kufijve, për interpretimin e parë të figurës së Gjergj Kastriotit në operën “Skënderbeu” të kompozitorit Prenk Jakova.”

Burimi:www.shkoder.net Kuinsi, Mass, 5 nëntor, 2006 Rozi Theohari, Boston / KultPlus.com

Të ngjajshme