YIHR KS dënon fuqishëm sulmin terrorist në Banjskë

29 Shtator, 2023 - 4:30 pm



Nisma e Të Rinjve Për Të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dënon fuqishëm sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë në orët e hershme të datës 24 Shtator 2023, i cili la oficerin e policisë Afrim Bunjaku të vrarë në detyrë, dhe 2 të tjerë të plagosur.

“Këto akte e destabilizojne sigurinë e Republikës së Kosovës, dhe përkeqësojnë tensionet ndër-etnike, përveç se janë antikushtetuese dhe të jashtëligjshme, janë edhe një kthim mbrapa për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh etnicitetit, dhe për paqen në rajon. Ne bëjmë thirrje për një hetim të thellë dhe transparent në lidhje me organizimin e sulmit terrorist dhe kërkojmë ndëshkim të akterëve përgjegjës dhe personave të përfshirë”, thuhet nga YIHR KS.

Ky është reagimi i YIHR KS:

Ne jemi të vetëdijshëm për rritjen e mosbesimit dhe frikës tek popullata Kosovare, sidomos tek komuniteti serb në Kosovë, krahas ritraumatizimit të personave që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë. Ne kërkojmë një qasje sensitive dhe të kujdeshme nga Qeveria e Kosovës, institucionet dhe persona të diskursit publik në veprimet që ata ndërmarrin. Në kohë krize, ne të gjithë duhet të jemi në solidaritet me njëri tjetrin, kundër diskurseve të dëmshme që kërcënojnë paqen dhe sigurinë.

Duke pasur parasysh këtë, ne i bëjmë thirrje respektivisht të gjithë qytetarëve të Kosovës të ndalojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe përhapjes së propagandës nacionaliste. Ne e kuptojmë se në situata të tensionuara, emocionet që rrjedhin nga trashëgimitë e të kaluarës janë valide, por ato nuk duhet të na bëjnë të harrojmë nevojën për paqe dhe pajtim. Ne bëjmë thirrje për mirëkuptim dhe së bashku të ecim përpara drejt një të ardhmeje që nuk i lë hapësirë veprimtarisë kriminale.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mbështesin fqinjët dhe bashkëqytetarët e tyre serb në Kosovë, dhe të mos asocojnë një grup etnik të tërë me sulmuesit. Një narrativë e tillë është e pavërtetë, e dëmshme dhe rrezikon më tej komunitetin serb të Kosovës. Po ashtu, ne ftojmë të gjithë qytetarët të raportojnë çdo shkelje që mund të shohin te institucionet kompetente, duke përfshirë Policinë e Kosovës (tel: 192), Inspektoratin e Policisë së Kosovës (tel: 080003333), Institucionit të Avokatit të Popullit (tel: 0800 15555) dhe/ose ekipin e YIHR KS (tel: +383 38 748 018).

Ne mbështesim deklaratën e kolegëve tanë nga YIHR Serbia të lëshuar më 27 shtator që i kërkon Qeverisë së Serbisë të ndalojë retorikat nacionaliste dhe propagandën që ushqen edhe më tej marrëdhëniet e tensionuara dhe eskalimin e situatës. Po ashtu, i ftojmë ata të mos glorifikojnë kriminelët nën mantelin e patriotizmit. Ky është i dëmshëm jo vetëm për eskalimin e tensioneve etnike në Kosovë dhe mes dy vendeve, por më tej dëmton edhe popullatën serbe në Kosovë. Propaganda nacionaliste rrezikon sigurinë e njerëzve, që duhet të jetë një prioritet në të gjitha deklaratat dhe veprimet institucionale. Qeveria e Serbisë duhet ta dënojë sulmin terrorist, dhe të ofrojë bashkëpunim dhe kontribut për zvogëlimin e tensioneve, hetimin dhe sjelljen e drejtësisë për akte të tilla të tmerrshme.

Ne gjithashtu i rikujtojmë mediat për fuqinë e tyre në formësimin e diskursit publik dhe përgjegjësinë që kanë pëë raportim etik dhe të paanshëm. Ato duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre të raportimit të së vërtetës duke sfiduar dhe kundërshtuar diskurset nacionaliste të dëmshme që destabilizojnë sigurinë e Kosovës.

Së fundmi, ne theksojmë fuqishëm se paqja, siguria dhe pajtimi duhet të jenë vizione të përbashkëta për të një të ardhme ndaj të cilës punojmë të gjithë, duke përfshirë Qeverinë e Kosovës dhe Serbisë. Ne bëjmë thirrje për respektimin e marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive dhe që ato t’i kthehen një dialogu konstruktiv drejt një të ardhme paqësore që do të siguronte mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët.

Dhuna nuk duhet të jetë kurrë gjuha që flasim, veprimet që ndërmarrim dhe rruga që ndërtojmë. / KultPlus.com

Të ngjajshme