21 Shtator, 2020 - 8:47 pm
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë përmes një aksioni rrugor i rikujtoi shoqërisë kosova si dhe qeverisë se nuk do të mund të arrihet paqja e qëndrueshme nëse vazhdojmë të rrijmë ‘sy mshelë’ ndaj çështjeve që lidhen me të kaluarën tonë.
Të gjithë të veshur me të zeza, me sy të mbyllur e me pankarta në të cilat shkruhej ‘’Sy mshelë në ‘Paqe’’, ‘S’ka Paqe pa Drejtësi’ dhe shifra të të vrarëve, të dhunuarve dhe të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë YIHR KS zhvilloi aksionin rrugor, duke i rikujtuar kështu qeverisë se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të trajtuar me seriozitet çështjet e lidhura me luftën duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës, personat e pagjetur, viktimat civile, viktimat e dhunës seksuale, dhe kriminelët e luftës. Njëjtë, shoqëria kosovare duhet të ketë përgjegjësi kolektive për të njohur dhe mos harruar asnjëherë faktet e së kaluarës.
Drejtoresha ekzekutive e YIHR, Marigona Shabiu vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për këto kategori dhe se e kaluara duhet të mësohet pa mite, duke respektuar viktimat pa gjykime etnie.
“Ne si organizatë po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes me mesazhin që ne jemi sy mbyllur në paqe, për vetë faktin se nuk kemi trajtuar të gjitha krimet e luftës dhe nuk kemi sjellë drejtësi për viktimat e luftës nga të gjitha komunitetet’’, thekson Shabiu.
Përderisa nisma ‘’Sy mshelë në paqe’’ ka për qëllim rëndësinë e ballafaqimit me kaluarën, institucionet kritikohen se nuk kanë bërë aq sa duhet.
‘’Ne dëshirojmë ta kritikojmë Qeverinë dhe t’i bëjmë presion në mënyrë që t’i kthejnë sytë nga e kaluara dhe të ballafaqohen me të me seriozitetin e duhur’’, u shpreh për KultPlus koordinatorja Bjeshka Guri.
Ndërkaq aktivisti Bestar Krasniqi nga të gjitha grupet e luftës veçon të pagjeturit, të cilët për Krasniqin mbeten arsye për mos festim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.
‘’Nuk mund të kemi paqe, as ta festojmë ne këtë ditë duke e ditur se ka mijëra të pagjetur, e mijëra familjarë të cilët nuk e dinë se ku janë të dashurit e tyre’’, theksoj aktivisti i YIHR.
Nga lufta e fundit në Kosovë janë vrarë mijëra shqiptarë, janë dhunuar burra dhe gra, ndërkaq ende shumë mbesin të pagjetur, ndërkaq në njoftimin e ngjarjes nga organizata bëhet e ditur se përmes aksioneve simbolike, YIHR KS do të mbaj aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur.
Ky aksion rrugor u realizua nën mbështetjen e USAID dhe NED. / KultPlus.com