15 Shkurt, 2022 - 9:45 am
Në kujtim të Ylfete Humollit
Ylfetja është dëshmija e gjallë e atyre që asnjëherë nuk e kanë gëzu fëmijërinë e tyre.
Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 30 vitesh kur ishte 16 vjeçare, ajo u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.
Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.
Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.
Ajo lexonte shumë libra dhe prej librave që lexonte nxirrte fjalë të urta dhe përmblidhte në fletore.
*Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.
Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.
Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.
Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës.
Ylfetja vritet duke kërkuar liri dhe barazi ende pa i mbushur 17 vite jetë, më 1 shkurt 1990, shkruan AlbFem.
Njerëzit që ishin afruar për t’i dhënë ndihmë tregonin se ajo kishte pyetur se a kishte shpëtuar Mentori, i cili mbahej si djalë i vetëm e që atë kohë ishte vetëm 14-vjeç. Por, rruga e lirisë ishte shumë e gjatë dhe Mentori e kishte vazhduar këtë rrugë duke rënë dëshmor 9 vite më vonë në Koshare me emblemën Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, ku njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi. /KultPlus.com