16 Mars, 2022 - 1:06 pm
Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila është vënë në pranga nga policia italiane, në kuadër të një aksioni anti-droge, ku janë lëshuar 13 urdhër-arreste.
Mësohet se ky grup vepronte midis provincave të Viterbos dhe asaj të Romës dhe ka dyshime të forta se ata janë pjesë e një grupi kriminal që trafikon drogë në sasi të mëdha.
Grupi kriminal, për të cilën u arrestuan sot 9 persona, të gjithë me kombësi italiane dhe shqiptare, vepronte kryesisht në zonën e Acilisë dhe merrej me trafikim droge, si kokainë, hashash dhe marihuanë. Grupi blinte sasi të ndryshme droge, i transportonte me makina dhe më pas i fshehte nëpër shtëpi dhe garazhe deri sa t’u dorëzoheshin më pas blerësve.
Sipas një shkrimi të publikuar mëngjesin e sotëm nga gazeta La Repubblica , mes personave nën hetim që u arrestua është edhe Elsa Lila, 40 vjeçe, një këngëtare e njohur në Shqipëri.
Përveç saj, është përfshirë edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si Titty. Ky boksier i arrestuar njihej për policinë për shkak të së shkuarës së tij mes viteve 2015 dhe 2016. Ai u arrestua në këtë kohë për një operacion të koduar Lojërat Kriminale.
Hetimet nisën nga sheshet e trafikut të drogës në zonat Torpignattara dhe Marranella ku dolën lidhje me disa organizata kriminale shqiptare të Romës, aktive mbi të gjitha në zonën e Acilias. Nga këta elementë doli roli drejtues i një shtetasi shqiptar, të padisponueshëm në Itali, i cili kërkohet jashtë vendit. Shpesh ky shqiptar përdorte bashkëpunimin e bashkatdhetarëve të tij për paketimin, ruajtjen dhe shitjen e drogës, por edhe të italianëve të tjerë, qytetarë që kishin rolin e furnitorëve.
U zbulua gjithashtu se në disa bare në Acilia u organizuan takime për të diskutuar strategjitë e veprimit të klanit dhe bazat logjistike në të cilat do të ruheshin substancat në pritje të shitjes. Midis tyre ka edhe një bodrum të madh në zonën e Torreveçhia që do të kishte pasur funksionin e një magazine qendrore. Në fund, gjatë hetimeve u sekuestruan 5 kg kokainë, 43 kg marihuanë dhe 82 kg hashash./ KultPlus.com